Ndërlidhjet

Serbët e ndarë


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Pesë ditë pas fillimit të regjistrimit të popullsisë, serbët vazhdojnë të jenë të ndarë në lidhje me këtë proces. Ndërsa, serbët në veri nuk i janë përgjigjur fare regjistrimit, ata në jug të lumit Ibër, janë të ndarë në lidhje me këtë proces.


Përfaqësuesit e serbëve, që janë të angazhuar në procesin e regjistrimit të banorëve në Kosovë, thonë se dalja e serbëve në regjistrim në komunat serbe në jug të lumit Ibër, deri më tash është e kënaqshme.

Këta zyrtarë serbë thonë se është shumë me rëndësi për vetë serbët që të dinë se sa banorë jetojnë në Kosovë, ndërsa statistikat, sipas tyre, do të ishin të dobishme për qeverisjen lokale.

Nebojsha Periq, anëtar i Komisionit komunal për regjistrim të Graçanicës, thotë se deri të hënën në orën 20 të mbrëmjes në këtë komunë janë regjistruar 1076 banesa, 845 kryefamiljarë dhe 3651 persona.

“Ekzistojnë tri kategori të njerëzve, që pranojnë të regjistrohen dhe më duhet të them se jam i kënaqur me këto shifra, pasi që nëse e kthejmë në përqindje, ato përbëjnë 30 për qind. Kemi një pjesë tjetër, që refuzojnë regjistrimin dhe këta përbëjnë 20 për qind”.

“Dhe, kemi kategorinë më të madhe, të cilët ende janë në dilemë nëse do të pranojnë ose jo të regjistrohen, apo të presin edhe disa ditë dhe të shohin se si do të zhvillohet situata dhe cili do të jetë qëndrimi i politikanëve”
, thot Periq.

Sipas tij, regjistrimi është një çështje e pastër statistikore dhe se askush nuk mund të nxjerrë ndonjë përfitim dhe as nuk do të bartë pasoja.

Edhe Dalibor Jevtiq, këshilltar i kryetarit të Shtërpcës, i cili është i përfshirë në fushatën për regjistrim, thotë se regjistrimi i banorëve paraqet një proces teknik dhe se nuk ka nevojë që të përzihet politika në këtë proces.

“Është statistikë e pastër dhe të dhëna statistikore, të cilat në masë të madhe shfrytëzohen edhe për qeverisjen lokale. E dimë se grantet që i merr komuna, janë në përputhje me numrin e banorëve. Në komunën e Shtërpcës zyrtarisht jetojnë 11 mijë banorë, e ne të gjithë e dimë se kjo shifër nuk është e saktë dhe numri me siguri është diku 15 mijë banorë”.


“Me konfirmimin e të dhënave të sakta, do të kemi mundësi që në të ardhmen, të marrim grante më të mëdha, kur bëhet fjalë për buxhetin komunal. Kjo është edhe një përparësi tjetër e këtij regjistrimi. Kemi një paraqitje të pastër të pasqyrës, mbi të cilën në të ardhmen do ta planifikojmë zhvillimin ekonomik”
, shprehet Jevtiq.

Në anën tjetër, kryetari i Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë, Rifat Blaku, konfirmon për Radion Evropa e Lirë, se regjistrimi në veri të vendit nuk është duke u zhvilluar.

“Jo, atje është një rast i veçantë. Është duke u punuar një strategji që edhe ata ta kryejnë obligimin kushtetues si shtetas të Republikës së Kosovës”,
deklaron Blaku.

Blaku shpjegon se strategjia po hartohet në bashkëpunim me faktorin ndërkombëtar, në mënyrë që edhe banorët e veriut të përfshihen në regjistrim.

“Në këtë strategji janë të inkuadruar njerëz edhe nga Bashkimit Evropian dhe strukturat më të larta politike shtetërore. Po ashtu, edhe nga UNOPS-i, ne jemi në pritje të një vendimi, i cili do të jetë në interes të të gjithëve. Natyrisht, që ne nuk i kemi pranuar strukturat paralele, edhe tash jemi në kërkim të një modaliteti që projekti të realizohet”,
shpjegon Blaku.

Procesi i regjistrimit të popullsisë, ekonomive familjare dhe banesave, ka filluar më 1 prill dhe do të zgjasë deri me datën 15. Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është mbajtur para 30 vjetësh.

Për këtë projekt tashmë janë ndarë 11 milionë euro: 30 për qind e tyre janë siguruar nga buxheti i Kosovës, ndërsa 70 për qind do të mbështeten nga vendet anëtare të Bashkimit Evropian.
XS
SM
MD
LG