Ndërlidhjet

Takimi Thaçi, Pacolli e Mustafa - pa marrëveshje


Qeveria e Kosovës
Qeveria e Kosovës
Në prani të përfaqësuesve ndërkombëtarë, të martën u zhvillua një takim ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, kandidatit të koalicionit qeverisës për president të Kosovës, Behgjet Pacolli, dhe kryetarit të LDK-së, Isa Mustafa. Qëllimi i takimit ishte tejkalimi i nyjës së krijuar me zgjedhjen e presidentit të Kosovës.


Kryeministri Hashim Thaçi dhe i kandiduari për president nga koalicioni qeverisës, Behxhet Pacolli, zhvilluan të martën një takim me liderin e LDK-së, Isa Mustafa, ku morën pjesë edhe përfaqësues ndërkombëtarë në Kosovë.

Përveç një takimi të përbashkët, u tha se janë zhvilluar edhe takime të ndara me ambasadorin amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, si dhe shefin e ICO-së, Piter Feith. Takimet u mbajtën larg mediave dhe nuk u kumtua të jetë arritur ndonjë marrëveshje.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se këto janë përpjekje politike për tejkalimin e nyjës së zgjedhjes së presidentit të Kosovës.

Makolli tha se beson që këto përpjekje politike, ku janë përfshirë edhe ndërkombëtarët, do të rezultojnë me një zgjidhje dhe marrëveshje konkrete.

Koalicioni PDK - AKR

“Unë besoj që do të mbizotërojë arsyeja dhe përgjegjësia e klasës politike në Kosovë për t’u dhënë zgjidhje problemeve, me të cilat po përballet vendi. Në këtë mënyrë, edhe të hapet rrugë për proceset shumë të rëndësishme, në të cilat ka hyrë Kosova dhe që do të përballet ditëve dhe javëve në vijim. Gjithsesi, besoj shumë që vendi do të ketë president të zgjedhur ditët në vijim”
, tha Makolli.

Për tejkalimin e gjendjes në lidhje me zgjedhjen e presidentit, Lidhja Demokratike e Kosovës propozoi që si kompromis, koalicioni qeverisës, dhe sidomos PDK-ja, të pajtohet që të caktohet edhe data e zgjedhjeve për një afat prej një apo një viti e gjysmë, si dhe ndërkohë të bëhen ndryshime kushtetuese dhe të zhvillohen disa reforma në sistemin zgjedhore.

Këto kërkesa u shqyrtuan nga Kryesia e Partisë Demokratike të Kosovës, e cila, ndonëse në mungesë të kryetarit të partisë, Hashim Thaçi, u mblodh dhe e hodhi poshtë mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se kërkesa e tillë e LDK-së bie ndesh me Kushtetutën dhe Kosova në këtë rast do të shkonte nga një krizë në tjetrën.

Në anën tjetër, përmes një komunikate për media, Aleanca Kosova e Re u bëri sërish thirrje partive politike që të mos garojnë me emra për presidentin e mundshëm, por të mbështesin kandidaturën e Behxhet Pacollit.

Por, ndryshe nga AKR-ja u shpreh presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi. Ai tha se bisedimet ndërmjet partive politike duhet të përfundojnë me gjetjen e një kandidati të ri, i cili do të ishte i pranueshëm për të gjithë, përfshirë edhe opozitën.

“Unë mendoj që tani kemi të bëjmë me një situatë të re dhe varet nga marrëveshja që arrihet. Ju e dini që tani duhet të ketë kandidatë të tjerë, të shohim kush është, ngase ne verbërisht s’do ta mbështesim askënd. Do të thotë, presim rezultatin e bisedimeve”,
u shpreh Krasniqi.

Ndërsa e hodhi poshtë mundësinë që ai të kandidojë për postin e presidentit, Krasniqi ftoi subjektet politike që me maturi të gjejnë zgjidhjen e duhur.
Situata e re është që partitë politike të kenë një konsensus, një marrëveshje dhe pastaj të ecet
përpara.


“Situata e re është që partitë politike të kenë një konsensus, një marrëveshje dhe pastaj të ecet përpara. Kjo është e rëndësishme, që të kenë një kandidat me konsensus dhe që pjesë e saj të jetë edhe gjithë opozita”
, theksoi Krasniqi.

Presidenti në detyrë, Jakup Krasniqi, ftoi partitë politike që nga e mërkura t’i nisin konsultime për të gjetur një zgjidhje në lidhje me zgjedhjen e presidentit.

Kriza me zgjedhjen e presidentit pasoi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, me të cilin u konstatua se zgjedhja e Pacollit në postin e presidentit në seancën e 22 shkurtit nuk i ka respektuar procedurat kushtetuese, kështu që procesi tani është kthyer në zero.

Andaj, çdo dështim i sërishëm i zgjedhjes së presidentit mund ta çojë Kosovën në zgjedhje të parakohshme.


Lexoni edhe këto:
ICO: Komunikim konstruktiv
Krasniqi: Gjendja është kthyer në zero
Opsionet e opozitës
XS
SM
MD
LG