Ndërlidhjet

Stefanoviq i kënaqur nga bisedimet me Prishtinën



Shefi i ekipit serb në bisedimet me Prishtinën Borko Stefanoviq, deklaroi se është i kënaqur me rrjedhën dhe rezultatin e deritashëm të bisedimeve, dhe shtoi se Beogradi në bisedimet "i përmbahet Kushtetutës të Serbisë dhe rezolutave të kuvendit".

Duke folur në komisionin parlamentar për Kosovën, ai ka thënë se ekipi negociator i Beogradit në asnjë mënyrë nuk e njeh pavarësinë e Kosovës.

"Ne i përmbahemi vetëm Kushtetutës sonë dhe rezolutave të kuvendit që janë miratuar", ka thënë Stefanoviq.

Ai ka vlerësuar se zgjidhja e çështjes së Kosovës do ta zhbllokojë procesin e integrimeve evropiane të Serbisë dhe të Ballkanit perëndimor, si dhe do të ndihmonte për paqen dhe stabilitetin afatgjatë në rajon.

Stefanoviq ka thënë se Beogradi do të insistojë që në rend të ditës të bisedimeve të gjenden temat e të zhdukurve, krimeve të luftës dhe mbrojtjes së trashëgimisë fetare serbe në Kosovë.

Sipas fjalëve të tij, "sa i përket Beogradit, statusi i Kosovës është i zgjidhur", ndërsa në bisedimet vetëm ekipi kosovar flet për statusin.

"Ne në fillim e thamë qartë si e shohim statusin dhe me këtë përcaktimin e statusit e mbyllëm. Duke ua bërë të qartë partnerëve evropianë dhe përfaqësuesve të institucioneve të përkohshme nga Kosova, ne e përkufizuam se Kosova është pjesë e Serbisë", ka thënë Stefanoviq.
XS
SM
MD
LG