Ndërlidhjet

logo-print

Të pagjeturit: Çështje politike


Foto nga arkivi (Prishtinë, 30 gusht 2010)

Foto nga arkivi (Prishtinë, 30 gusht 2010)

Çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur është politike dhe për këtë arsye ka mbetur ende pa u zgjidhur, vlerëson Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur. Ndërkaq, përfaqësuesit e familjarëve të këtyre personave drejtojnë akuza në adresë të Serbisë, institucioneve vendore dhe atyre ndërkombëtare për, siç thonë ata, ngecjen e procesit për zbardhjen e fatit të të pagjeturve. Zyrtarët e Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur përkrahin çfarëdo dialogu që kontribuon për këtë çështje.


Zbardhja e fatit të personave të pagjetur, tash e 12 vjet vazhdon të jetë brengë e familjarëve të këtyre personave, por edhe e shoqërisë kosovare.

Prenk Gjetaj, drejtues i Komisionit Qeveritar për Personat e Pagjetur, thotë për Radion Evropa e Lirë se çështja e të pagjeturve është politike, pavarësisht faktit se në vazhdimësi ajo është trajtuar si çështje humane.

“Çështja e të pagjeturve vazhdimisht është konsideruar dhe është llogaritur që të mbetet në baza humane, njerëzore. Por, mendoj se sikur të mos ishte politike, sigurisht se nuk do të kishte mbetur pa u zgjidhur. Ende vazhdojmë të dyshojmë se ka varreza masive në territorin e Serbisë dhe këto sigurisht janë çështje, për të cilat politikisht duhet të përgjigjen ata që i mbajnë fshehur varrezat që i kanë bërë”, thotë Gjetaj.

Ndryshe, në Kosovë ende figurojnë si të pagjetur 1 mijë e 820 persona. Përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur, vlerësojnë se procesi i zbardhjes së fatit të të pagjeturve ka shënuar ngecje.

Sheshi Nënë Tereza, Prishtinë, 27 Prill 2010

Haki Kasumi, drejtues i Këshillit të Asociacioneve të familjarëve të personave të pagjetur, thotë se tash e gjashtë vjet nuk ka pasur rezultate që inkurajojnë se ky proces po shkon në drejtim pozitiv.

“Procesi, nga viti 2005, kur ka përfunduar kthimi i trupave nga Serbia, shënon një ngecje të jashtëzakonshme, të madhe dhe, ose jepen shënime, ose mbyllen rastet, të cilat janë sjellë nga Serbia. Informata dhe gjetje, gjegjësisht prurje të reja në këtë proces, ka shumë pak”,
shpjegon Kasumi.

Përfaqësuesit e familjarëve të personave të pagjetur vlerësojnë se fajin kryesor për moszbardhjen e fatit të pagjeturve e ka shteti serb, por edhe faktorët tjerë relevantë ndërkombëtarë, të cilët, sipas tyre, nuk kanë bërë të presion të mjaftueshëm tek autoritetet serbe lidhur me këtë çështje.

Ata thonë se një pjesë të fajit për moszbardhjen e fatit të familjarëve të tyre të pagjetur e shohin edhe tek institucionet vendore.

Bajram Qerkini, drejtues i shoqatës së familjarëve të pagjeturve “Zëri i prindërve”, nga Mitrovica, thotë se ekzistojnë shembuj që shpërfaqin neglizhencën e faktorëve vendorë lidhur me çështjen e të pagjeturve.

“Për shembull, në Xhaminë e Haxhi Veselit u nxorën një herë 15, një herë 16 trupa. Tash ka prapë trupa. A thua, nuk ka qenë e mundur që të nxirren të parën herë? Nuk e kanë kryer dhe nuk po e kryejnë punën sa duhet, duke u nisur që nga Komisioni, nga ndërkombëtarët, nga vendorët, asnjë punën e vet nuk e kryen”
, shprehet Qerkini.

Në anën tjetër, çështja e zbardhjes së fatit të personave të pagjetur tash e sa vjet po trajtohet nga grupi i përbashkët punues, i përbërë nga delegacioni i Kosovës dhe ai i Serbisë me ndërmjetësimin e Komitetit Ndërkombëtar të Kryqit të Kuq.

Por, zyrtarët e lartë qeveritarë kohë më parë kanë deklaruar se çështja e personave të pagjetur do të jetë një nga temat që do të diskutohen në dialogun për çështje praktike-teknike midis Kosovës dhe Serbisë.
Në rrethojën e Kuvendit të Kosovës vazhdojnë të jenë të varura fotot e personave të pagjetur...

Ky dialog, siç kanë deklaruar këta zyrtarë, përjashton bisedimet politike. Por, Gjetaj këmbëngul se çështjes së të pagjeturve nuk i përjashtohet konotacioni politik.

“Unë flas në emër dhe në kuadër të kompetencave, përgjegjësive dhe autorizimeve të mia. Ndërsa, për çështje tjera, përgjigjen të gjithë ata që mund të vendosin dhe janë vendimmarrës. Mirëpo, them se kjo çështje nuk është edhe jopolitike”
, thekson Gjetaj.

Ndërkaq, Luigj Ndou, zyrtar politik për Kosovën i Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur, thotë se ky komision do të përkrahë çdo marrëveshje ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në kuadër të procesit të zbardhjes së fatit të personave të pagjetur.

“ICMP (Komisionit Ndërkombëtar për Persona të Zhdukur) përkrah çdo lloj dialogu, i cili do t’i kontribuonte zgjidhjes së çështjes së personave të pagjetur. Dhe, mendoj se ju takon qeverive të vendosin për modalitetet. Por, gjithsesi, ne do të përkrahim çfarëdo lloj forme të dialogut, i cili do të jepte rezultate konkrete”,
deklaron Ndou.

Sidoqoftë, Komisioni Qeveritar për Personat e Pagjetur, në bashkëpunim me asociacionet e familjarëve të personave të pagjetur, tashmë kanë vendosur që më 27 prill të shënojnë ditën e të pagjeturve, me manifestime të ndryshme, të cilat do të jenë në funksion të sensibilizimit të çështjes së personave të pagjetur.

Lexoni edhe këto:

Liqeni i Peruçacit, varrezë masive?
Të pagjeturit - plagë e hapur e luftës
Borxhi për të vërtetën e të pagjeturve
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG