Ndërlidhjet

Dy kandidate femra për presidente


Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës

Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot në orën 18:00 në një seancë të jashtëzakonshme për të zgjedhur presidentin. Kandidate për këtë post janë dy garuese femra: Atifete Jahjaga, kandidate e marrëveshjes PDK, LDK dhe AKR, si dhe Syzanë Novobërdaliu, deputete e AKR-së.

Kryetari i Kuvendit, Jakup Krasniqi, tha se gjatë ditës deputetë të partive nënshkruese të marrëveshjes i kanë deponuar në Kryesinë e Kuvendit 41 nënshkrime, të cilat janë të mjaftueshme që të thirret seanca e jashtëzakonshme.

Krasniqi nuk deshi të komentojë nëse kjo marrëveshje ishte zgjidhja më e mirë, por ai tha se kjo ka qenë zgjedhje e liderëve të partive dhe jo e partive që pritet ta mbështesin kandidaturën e Atifete Jahjagës.

“Është e rëndësishme që është arritur një marrëveshje dhe muajt e ardhshëm do të tregojnë se cilat janë rezultatet e kësaj marrëveshjeje. E rëndësishme është që u ka pëlqyer kryetarëve të partive”, tha Krasniqi.

Në bazë të Kushtetutës, në garë për postin e presidentit duhet të ketë të paktën dy kandidatë; zgjedhja në këtë post bëhet me dy të tretat e votave gjatë dy raundeve të para të votimit, përderisa në raundin e tretë mjafton edhe shumica e thjeshtë.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, tha se është respektuar ana procedurale për seancën e jashtëzakonshme dhe zgjedhjen e presidentit.

“Ne kemi proceduar me të gjitha kërkesat tona nënshkrimet e nevojshme edhe për kandidaten, edhe për seancën e jashtëzakonshme, e cila pritet të mbahet sot në orët e pasdites”, tha Grabovci.

Kriza e zgjedhjes së presidentit pasoi aktvendimin e Gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit, zgjedhja e Behxhet Pacollit në postin e presidentit, në seancën e 22 shkurtit, nuk i kishte respektuar procedurat kushtetuese.

Fillimisht, Pacolli pati rikandiduar për postin e presidentit, por ai nuk arriti të sigurojë mbështetjen e opozitës, andaj bashkë me kryeministrin Hashim Thaçi dhe me ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan në Prishtinë, Kristofer Dell, u përfshinë në bisedime me kreun e LDK-së, Isa Mustafa.

Bisedimet triditëshe sollën si rezultat marrëveshjen që Behxhet Pacolli të tërhiqet, kurse Atifete Jahjaga të kandidohet si kandidate e përbashkët e PDK-së, LDK-së dhe AKR-së për president.

Si pjesë e marrëveshjes u përfshi edhe pajtimi për ndryshime kushtetuese, reforma zgjedhore dhe zgjedhje presidenciale pas afërsisht një viti e gjysmë dhe zgjedhje parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG