Ndërlidhjet

Partitë politike opozitare në Maqedoni, Lidhja Social-Demokrate, Partia Demokratike Shqiptare dhe Demokracia e Re, kanë kërkuar monitorim të përforcuar në zgjedhjet e parakohshme parlamentare, duke theksuar faktin se në këto zgjedhje, Maqedonia hyn pa arritjen e një konsensusi të gjerë politik rreth ndyshimeve të fundit të kodit zgjedhor.

Opozita beson se me monitorim të theksuar mund të parandalohet praktika e zgjedhjeve të kaluara, të cilat u shoqëruan me një varg incidentesh si dhe me dhunimin e votës së lirë nga ana e qarqeve të caktuara politike.

Partitë politike në pushtet janë deklaruar se nuk kanë asgjë kundër një monitorimi më të theksuar ndërkombëtar në zgjedhjet e qershorit.

Por, se cili do të jetë numri i saktë i përfaqësuesve ndërkombëtarë që do të monitorojnë zgjedhjet e parakohshme në Maqedoni, do të vendoset pasi të kenë përfunduar takimet me të gjitha forcat politike, thotë Jans Eshenbaher, zëdhënës i Zyres së ODIHR-it në Shkup.

OSBE-ja dhe ODIHR-i, për momentin, janë duke u konsultuar me të gjithë faktorët relevantë, pjesemarrës në procesin zgjedhor, me partitë politike, administratën shtetërore si dhe mediat. Pastaj, do të marim vendimin se në çfarë formati është e nevojshme përfshirja e vëzhguesve në këtë proces”, thotë Eshenbaher.

Nga ana tjetër, Darko Aleksov, nga organizata joqeveritare “URA”, e cila ka monitoruar tetë procese zgjedhore në Maqedoni, vlerëson se vendi nuk i ka tejkaluar ngërçet për të pasur zgjedhje sipas standardeve të Bashkimit Evropian.

Vetëm dita e zgjedhjeve nuk është faktor i vetëm që përcakton kualitetin e tërë procesit, andaj monitoruesit e organizatës sonë do ta monitorojnë tërë procesin në përgjithësi, që me shpërberjen e parlamentit“, thekson Aleksov.

Ndërkaq, Artan Sadiku, analist politik, nënvizon se standardet e kërkuara nga faktori ndërkombëtar nuk mund të arrihen përmes monitorimit të shtuar të vëzhguesve të ODIHR-it, por me përforcimin dhe profesionalizmin e institucioneve shtetërore.

“Ne i kemi të gjitha institucionet e nevojshme për të organizuar zgjedhje fer dhe të lira, por çështja qëndron në atë se sa do të lejojnë forcat politike, veçanërisht ato që janë në pushtet, që ato ta bëjnë punën e tyre pa u prekur nga intersat politike”, shprehet Sadiku.

Sipas tij, në këtë drejtim rol pozitiv mund të luajë angazhimi i sektorit civil dhe hapja e debateve publike.

Sektori civil dhe e tërë shoqëria duhet të bëjnë presion që të mos kërkohet edhe më tej shpëtim në bashkësinë ndërkombëtare, ngase po përmes monitorimeve të ndryshme ndërkombëtare të zgjedhjeve në Maqedoni, faktikisht ne mundësojmë që instucionet të mbahen në një gjendje konstante të paaftësimit të tyre. Si pasojë, do të ngelim një shoqëri në një shtet, i cili asnjëhërë nuk do të mund t’i realizojë plotësisht kapacitetet e veta demokratike”, thotë Sadiku.

Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve thotë se disponon të gjitha kapacitetet për të organizuar zgjedhje fer dhe të lira sipas standardeve të BE-së.

KSHZ-ja gjithmonë ka dalë fitimtare për implementimin e kompetencave të veta. Edhe kësaj radhe unë nuk dyshoj në këtë përbërje të KSHZ-së”, konkludon Subhi Jakupi, nënkryetar i KSHZ-së.
XS
SM
MD
LG