Ndërlidhjet

logo-print

Afganistan: Nga sulmi i talibanëve – 6 policë të vrarë


Gjashtë pjesëtarë të sigurisë së Afganistanit janë vrarë mbrëmë vonë, kur talibantë të armatosur e kanë aktivizuar një bombë të fshehur në një makinë mjekësore, gjatë një sulmi kundër një qendre policore në qytetin jugor, Kandahar.

Shefi i policisë i këtij qyteti, Mohamed Muxhahid, tha se një sulmues vetëvrasës, që pretendoi të jetë shofer i makinës së ndihmës mjekësore, e aktivizoi eksplozivin, pasi oficerët e plagosur ishin vendosur brenda në makinë.

Kjo makinë e ndihmës mjekësore arriti pasi disa kryengritës të armatosur, hapën zjarr kundër ndërtesës së policisë.

Helikopterët amerikanë dhe makinat e blinduara kishin depërtuar për t’i mbështetur trupat afgane, që luftonin kundër rebelëve.

Talibanët e kanë marrë përgjegjësinë për këtë sulm, i cili, sipas raporteve, zgjati afro një orë.
XS
SM
MD
LG