Ndërlidhjet

logo-print

Pensionistët tërheqin vërejtjen


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Pensionistët kosovarë siç duket e kanë humbur durimin. Ata kërkojnë nga ekzekutivi i vendit, që pensioni mestar në Kosovë të jetë së paku 60 për qind nga paga mesatare në Kosovë. Nëse kjo kërkesë nuk realizohet deri në fund të këtij muaji, ata paralajmërojnë protesta.


Pensionistët kosovarë kërkojnë rritje të pensioneve. Sahit Dragaj, kryetar i Partisë së Pensionistëve të Kosovës, thotë se tashmë kanë kërkuar nga institucionet e vendit që pensioni mesatar në Kosovë të jetë së paku 60 për qind nga paga mesatare në Kosovë, që i bie të arrijë shifrën rreth 160 euro në muaj.

Kjo kërkesë vjen pas vendimit të Qeverisë për rritje të pagave për punëtorët në disa sektorë publikë, prej 30 deri në 50 për qind. Kurse, nga ky vendim, sipas Dragajt, pensionistët kanë përfituar rritje vetëm 8 për qind, që i bie 5 euro më tepër në muaj.

Dragaj paralajmëron organizim të protestave, nëse një gjë e tillë nuk realizohet. Si datë të mundshme të këtyre protestave, ai përmend 23 prillin.

“Pushteti degradoi, poshtëroi, e diskriminoi tani pensionistët. Pensionistëve u është humbur dinjiteti njerëzor, krenaria. Ata u varfëruan, psikikisht, financiarisht dhe politikisht. Atyre seriozisht iu është rrezikuar ekzistenca biologjike. Qeveria dhe Parlamenti i Kosovës asnjëherë nuk pati, e edhe tani nuk ka vullnet politik për përmirësimin e pozitës së mjerueshme të pensionistëve”,
thotë Dragaj.

Sipas Dragajt, pensionet në Kosovë janë më të voglat në Evropë. Pensionet mesatare në shtetet e ish-Jugosllavisë dhe në Shqipëri, sipas tij, sillen prej 160 deri në 600 euro. Ndërkaq, pensioni mestar në Kosovë është 62.5 euro.

“Si mund të jetojnë pensionistët e moshuar me 1.5 euro në ditë, apo pensionistët kontribut-pagues me 2.60 euro në ditë, kur çmimet e bukës, vajit, sheqerit etj, janë rritur për 100 për qind?! A është e moralshme dhe e drejtë që dikush ta ketë pagën mujore që është barazi me 125 pensione të kontribut-paguesve, siç është rasti me disa menaxherë të disa trusteve apo agjencive, që një mëditje të jetë barazi me një pension mujor”,
shprehet Dragaj.

Për të gjitha shqetësimet e kësaj kategorie, Dragaj thotë se në fund të muajit të kaluar i kanë njoftuar autoritetet kompetente.

“Qeverinë, Presidencën, Kuvendin e Kosovës, Ministrinë e Financave, Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, i kemi paralajmëruar për protesta, tubime, peticione dhe greva të urisë, që do t’i organizojmë nëse nuk i realizojnë kërkesat tona legjitime
”, shton Dragaj.

Në anën tjetër, zyrtarë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale, thonë se deri në muajin korrik nuk mund të ketë rritje të pensioneve.

Behxhet Gaxhiqi, zyrtar në këtë ministri, sqaron se kjo rritje do të mundësohet pas hyrjes në fuqi të Ligjit për skemat sociale, i cili do të financohet nga shteti, ligj ky që, sipas tij, tashmë është në procedim.

“Kjo është e paraparë në bazë të Ligjit për pensionet kontribut-dhënës. Në bazë të ligjit, parashihet që të ketë rritje deri në 101 euro, ndërsa për pensionet bazike do të jetë 50 euro”,
sqaron Gaxhiqi.

Në Kosovë, rreth 180 mijë pensionistë, të cilët kanë mbi 65 vjet, marrin nga 45 euro në muaj, ndërsa ata që kanë paguar kontributet, marrin nga 85 euro.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG