Ndërlidhjet

A ka shkelje gjatë regjistrimit?


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, në një takim me mediat, shprehu shqetësimin se procesi i regjistrimit të popullsisë po përcillet me gabime dhe shkelje ligjore. Melihate Tërmkolli, anëtare e Kryesisë së AAK-së, tha se fëmijët e qytetarëve të Kosovës që jetojnë jashtë vendit, nuk po regjistrohen, si dhe shprehu shqetësimin se nuk do të mund të regjistrohet e gjithë popullsia brenda afatit të paraparë prej 15 ditësh. Rifat Blaku, kryesues i Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë theksoi se procesi po zhvillohet në bazë të ligjit.


Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës të premten ngriti shqetësimin e saj lidhur me, siç u tha, parregullsitë në mbarëvajtjen e procesit të regjistrimit të popullatës dhe pronës në Kosovë, i cili ka filluar që nga 1 prilli.

Melihate Tërmkolli, anëtare e Kryesisë së Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në një takim me media, paraqiti vërejtjet për, siç tha, gabimet, lëshimet dhe shkeljet ligjore, të cilat janë duke ndodhur gjatë procesit të regjistrimit.

Melihate Tërmkolli

“Ndër ato që ne sot i kemi evidentuar, kanë të bëjnë me fëmijët e qytetarëve tanë që jetojnë jashtë vendit dhe të cilët nuk po i regjistrojnë. Mendoj se është një gabim shumë i madh, sepse ata do të jenë pjesë e një pasqyre të përgjithshme të regjistrimit dhe jo si persona në regjistrat zyrtarë. Po ua mohojmë moralisht, dy herë, të drejtën këtyre qytetarëve që të jenë pjesë e regjistrimit”.


“Gabimi tjetër lidhet me regjistrimin këtu, brenda, që po i regjistrojnë përmes familjarëve. Po bëhen shkelje, ku përmes një familjari i regjistrojnë 10 deri 15 anëtarë tjerë të familjes. Ndërsa, sipas ligjit, është e drejtë dhe obligim i secilit që t’i japë të dhënat për veten e vet”, tha Tërmkolli.

Sipas Tërmkollit, gabimet dhe shkeljet, të cilat, siç tha, po ndodhin në procesin e regjistrimit, janë pasojë e neglizhencës së Qeverisë së Kosovës dhe zyrtarëve që po realizojnë procesin e regjistrimit të popullsisë, për t’i informuar drejt dhe në mënyrë të plotë qytetarët.

Ndryshe, Tërmkolli shprehu shqetësimin se brenda afatit të limituar prej 15 ditësh, sa është thënë se do të zgjasë procesi i regjistrimit, nuk do të arrihet të realizohet tërësisht ky proces.

Qeveria ka deklaruar se për 5 ditë janë regjistruar rreth 500 mijë qytetarë, që do të thotë, në bazë të një përllogaritjeje të thjeshtë, për 15 ditë do të mund t’i regjistrojnë një milion e gjysmë qytetarë. Ndërsa, sipas të dhënave që i kemi ne, të përafërta, mendohet se janë mbi 2 milionë qytetarë dhe Qeveria duhet të shohë se çfarë do të bëjë dhe si do të mund ta shtoj efikasitetin për t’i regjistruar të gjithë qytetarët dhe të arrijë që këtë ta bëjë me kohë”, theksoi Tërmkolli.

Në anën tjetër, zyrtarët e Komisionit për Regjistrimin e Popullsisë nuk deshën t’i komentojnë vërejtjet, të cilat i parashtroi Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Ligji është miratuar në Parlament; është bërë plotësim-ndryshimi, është votuar dhe ai Ligj po zbatohet.
Rifat Blaku, kryesues i këtij Komisioni, i tha Radios Evropa e Lirë se të gjitha vërejtjet e mundshme ose shqetësimet, kanë mundur të shprehen në kohën kur është miratuar Ligji për regjistrimin. Sipas Blakut, regjistrimi po bëhet në bazë të Ligjit.

“Është Ligji dhe në bazë të tij punohet. Ligji është miratuar në Parlament; është bërë plotësim-ndryshimi, është votuar dhe ai Ligj po zbatohet. Në bazë të Ligjit për regjistrimin e popullsisë, është Zyra për Regjistrim dhe janë vëzhguesit ndërkombëtarë
dhe UNOPS-i”, sqaron Blaku.

Sidoqoftë, shqetësimin dhe vërejtjet lidhur me parregullsitë gjatë procesit të regjistrimit, ditë më parë i kishte shprehur edhe Avokati i Popullit, Sami Kurteshi.

Vërejtjet e tij kishin të bënin kryesisht lidhur me moszbatimin në tërësi të udhëzuesit për regjistrim nga ana e regjistruesve. Siç kishte thënë Kurteshi, në shumë raste janë intervistuar persona të mitur dhe jo kryefamiljarët.

Kurteshi vërejtje kishte dhënë edhe lidhur me pyetjen për deklarim fetar, gjë që, sipas tij, nuk po realizohet në mënyrë adekuate.

Lexoni edhe këto:
Serbët e ndarë

Refuzojnë regjistrimin
Debat i ashpër për kombësi dhe fe
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG