Ndërlidhjet

Klinton: I respektojmë ata që luftojnë për liritë themelore


Shtetet e Bashkuara e publikuan sot raportin vjetor për të drejtat e njeriut, i cili i regjistron abuzimet nga qeveritë në mbarë botën.

Duke e prezantuar raportin e përvitshëm të Departamentit të Shtetit, Sekretarja e Shtetit, Hillari Klinton tha se Uashingtoni i respekton ata që luftojnë për liritë themelore të tyre.

"SHBA do t'u qëndrojnë pranë atyre që synojnë t'i avancojnë kauzat e demokracisë dhe të drejtave të njeriut kudo që jetojnë, dhe do të qëndrojmë pranë atyre që i ushtrojnë të drejtat themelore të shprehjes dhe tubimit në mënyrë paqësore", tha Klinton.

Raporti thotë se në vitin 2010 në Rusi, Bellorusi dhe Ukrainë janë vërejtur "abuzime serioze".

Raporti thotë se në Iran janë ekzekutuar 312 njerëz, ndërsa në Irak ka pasur vrasje të paligjshme, burgosje arbitrare dhe raste të torturës.

Raporti poashtu thotë se Pakistani e mban kulturën e pandëshkueshmërisë", dhe se forcat e sigurisë operojnë jashtë kontrollit të pushtetit civil.

Raporti flet për shkelje serioze të të drejtave të njeriut në Bahrein, Libi dhe Siri, dhe vëren "trend negativ" në Kinë, veçanërisht me "shtypjen e rëndë" në Tibet.
XS
SM
MD
LG