Ndërlidhjet

E premtja me protesta në botën arabe, 22 të vrarë në Siri



Dita e djeshme kaloi në shenjë të protestave në një pjesë të botës arabe, që u mbajtën pas faljes të së premtes.

Dhuna më e rëndë u raportua në Siri, ku raportohet se 22 deri 32 protestues u vranë në demonstratat, shumica e tyre në qytetin jugor Dara.

Presidenti Barak Obama e dënoi "fuqishëm" atë që e quajti "dhunë të pajustifikueshme kundër protestuesve paqësorë nga ana e qeverisë së Sirisë".

Amnesty International tha se më shumë se 170 njerëz janë vrarë gjatë tri javëve të trazirave në Siri.

Dhunë pati edhe në Jemen, ku turrmat kërkonin rrëzimin e presidentit Ali Abdullah Saleh. Dy njerëz u vranë dhe 25 u plagosën në qytetin jugor Taiz.

Protestat tjera ishin më paqësore.

Në Kairo, egjiptianët u mblodhën në tubimin më të madh që nga përmbysja e Hosni Mubarakut. Ata kërkuan Mubaraku të gjykohet, ndërsa po rriten edhe pakënaqësitë me sundimin ushtarak.

Në Arabinë Saudite, shiitët protestuan në lindje të vendit duke kërkuar tërheqjen e forcave saudite nga Bahreini.

Në Oman, forca të shumta të sigurisë e parandaluan demonstratën e planifikuar pas faljes të së premtes.
XS
SM
MD
LG