Ndërlidhjet

A e tret inflacioni rritjen e pagave?


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Ngritja e pagave në sektorin publik në mënyrë të pakoordinuar, mund të jetë vetëm një problem shtesë në të gjitha problemet, me të cilat ballafaqohet sot ekonomia kosovare, vlerësojnë analistë të çështjeve ekonomike në Prishtinë. Ata thonë se inflacioni, i cili ka shënuar nivel të lartë gjatë muajve të fundit, do ta amortizojë rritjen e pagave.


Analistë të çështjeve ekonomike vlerësojnë se ngritja e pagave deri në 50 për qind për punëtorët në sektorin publik, nuk do ta pasurojë shportën e konsumit, pas që, siç thonë ata, në Kosovë në tre vjetët e fundit inflacioni ka shënuar ngritje deri në 20 për qind.

Në një prononcim për Radion Evropa e Lirë, analisti për çështje ekonomike Fisnik Reçica, thekson se rritja e pagave në sektorin publik është një balancim i inflacionit.

“Nëse shohim rritjen e pagave 23 për qind total në sektorin publik, kurse inflacionin rreth 20 për qind që e kemi pasur që nga viti 2007, i bie që punëtorët në sektorin publik, kjo rritje e pagave i bën të pasur bën njësoj siç kanë qenë në vitin 2007, për shkak të rritjes së çmimeve në treg, e cila e ka ulur fuqinë blerëse”,
thotë Reçica.

Analistët e ekonomisë theksojnë se problemet në aspektin e varfërisë nuk janë tejkaluar. Qytetarët mund të mendojnë se është rritur vlera e parasë, mirëpo sipas analistëve të ekonomisë, janë rritur vetëm të ardhurat në nivel absolut, kurse fuqia e tyre reale ka mbetur ajo që ka qenë më herët.
Rritja e pagave apo rritja e qarkullimit të parasë në treg, ka shkaktuar ngritjen e çmimeve nga ana e shitësve.


“Rritja e pagave apo rritja e qarkullimit të parasë në treg, ka shkaktuar ngritjen e çmimeve nga ana e shitësve. Kjo i ka bërë më të varfër punëtorët në sektorin privat, kurse kryesisht pesha bie tek ata që nuk punojnë. Ajo pjesë e atyre që nuk punojnë, për tre vjetët e fundit nuk ka pasur rritje të të ardhurave, kurse është bërë 20 për qind me e varfër, edhe me ato të ardhura që mund t’i kenë”
, thekson Reçica.

Sipas të dhënave të Bankës Botërore, 47 për qind e popullatës në Kosovë janë të papunë, nga të cilët 45 për qind jetojnë në kufirin e plotë të varfërisë.
Prej tyre, 17 për qind jetojnë në të ashtuquajturin kufirin ekstrem të varfërisë me vetëm 85 centë në ditë.
Më 5 prill punëtorët në sektorin publik morën pagat e tyre me rritjen e premtuar nga Qeveria e Kosovës...

Udhëheqësi i Institutit për Hulumtime dhe Analiza të Politikave Ekonomike, Isa Mulaj, thotë se përveç inflacionit të shkaktuar nga rritja e pagave, e kemi inflacionin e importuar, e që është rezultat i rritjes së çmimit të produkteve të importuara.

“Kur ne kemi më shumë para në xhep, kuptohet se do të rritet fuqia blerëse dhe ato produkte që i blejmë, janë të importuara. Ne, ato paga të rritura po i kalojmë jashtë Kosovës”, shprehet Mulaj.

Analistët vlerësojnë se në Kosovë brenda një periudhe shumë të shkurtër do të ketë sërish kërkesa për rritje pagash, pasi që, sipas tyre, realisht do të shihet që punëtorët nuk janë bërë më të pasur dhe nuk janë në një gjendje më të mirë me rritjen e pagave që është bërë.

Analisti i ekonomisë Isa Mulaj shpjegon:

“Po të ishim ne një ekonomi më e madhe dhe e diversifikuar, rritja e pagave nuk do të kishte ndikim aq negativ, sikur në rastin që e kemi sot, pasi që paraja do të qarkullonte këtu, brenda vendit”.


Qeveria e Kosovës ka ngritur pagat në sektorin publik prej 30 deri në 50 për qind për shërbyesit civilë. E, të gjitha këto, buxhetit të Kosovës do t’i kushtojnë mbi 100 milionë euro.

Lexoni edhe këto:
Ngrihen çmimet - sërish
Inflacioni godet Kosovën
XS
SM
MD
LG