Ndërlidhjet

SHBA: Shmanget mbyllja e Qeverisë


Presidenti i Shteteve të Bashkuara Barak Obama dhe udhëheqësit në Kongres, ranë dakord për shpenzimet buxhetore para afatit të fundit, pas të cilit Qeveria do të duhej të ndërpriste një pjesë të madhe të aktiviteteve.

Republikanët dhe demokratët në Kongres e arritën marrëveshjen dy orë para mesnatës, afat i fundit, tejkalimi i të cilit do t’i prekte qindra mijëra punonjës federalë.

Marrëveshja i dha fund ngërçit të hidhur, në të cilin secila palë e akuzonte tjetrën për ngecjen.

Demokratët i akuzonin republikanët se po i kërcënojnë negociatat duke i shtyrë çështjet sociale, si shkurtimi i shpenzimeve për abortin. Republikanët, ndërkaq, nën trysninë e konservatorëve nga e lëvizja e ashtuquajtur “Tea Party”, thoshin se pengesa kryesore qëndron te shkurtimet e shpenzimeve për zvogëlimin e deficitit buxhetor.

Duke e kumtuar marrëveshjen, kryetari i Dhomës Përfaqësuese, republikani Xhon Boner, tha se palët kanë arritur marrëveshje që “do t’i shkurtojë shpenzimet dhe do ta mbante qeverinë të hapur”.

“Siç e dini, kishte shumë diskutime dhe betejë të gjatë. Por, ne luftuam për t’i mbajtur shpenzimet qeveritare në nivelin e ulët, sepse kjo në fakt vërtet do të ndihmojë për të krijuar një mjedis më të mirë për ata që krijojnë vende pune në vendin tonë
”, tha Boner.

Marrëveshja i dha fund përpjekjes më të gjatë të presidentit Barak Obama me republikanët, që kur ata e morën kontrollin në Dhomën e Përfaqësuesve në zgjedhjet e nëntorit, duke premtuar zvogëlimin e Qeverisë.

Demokratët u paraprinë përpjekjeve të republikanëve për t’i kufizuar rregullatorët e ambientit dhe fondet për kontrollin e natalitetit përmes organizatës për Planifikimin Prindëror dhe grupeve të tjera që mbështesin abortin.

Duke folur në një konferencë shtypi në orët e vona të mbrëmjes, presidenti Obama tha se “buxheti investon në të ardhmen tonë, por njëkohësisht bën shkurtimin më të madh vjetor në historinë e vendit”.

“Ashtu si në çdo kompromis të vlefshëm, të dyja palët duhej të merrnin vendime të vështira dhe t’i mbështesnin çështjet, të cilat i shohin të rëndësishme. Sigurisht që edhe unë e bëra të njëjtën gjë”,
tha Obama.

Pavarësisht madhësisë, shkurtimet përbëjnë vetëm rreth 1 për qind të shpenzimeve të gjithëmbarshme federale. Por, Obama tha se disa prej tyre do të jenë të dhembshme, duke prerë programe qeveritare dhe projekte të infrastrukturës.

Disa orë më herët, punonjësit federalë ishin përgatitur ta ndalin punën. Mbyllja, e cila do të ishte e para pas 15 vjetësh, do t’i detyronte shumicën e punonjësve qeveritarë të marrin pushim pa pagesë dhe do t’i pezullonte shërbimet kyçe qeveritare. Pasojat ekonomike mund të ishin katastrofike.

Demokratët dhe republikanët do të takohen sërish javën e ardhshme për ta finalizuar marrëveshjen.(v.p.)
XS
SM
MD
LG