Ndërlidhjet

Baroso kërkon zgjidhje të shpejtë


Hose Manuel Baroso gjatë takimit me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Ohër 09 prill 2011

Hose Manuel Baroso gjatë takimit me presidentin e Maqedonisë, Gjorgje Ivanov. Ohër 09 prill 2011

Maqedonia sa më parë duhet ta zgjidhë kontestin rreth emrit, që të mund t’i fillojë negociatat për anëtarësim në BE, tha kryetari i Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso, i cili së bashku me komisionarin për zgjerim, Stefan Fyle, u takuan në Ohër me zyrtarë të lartë shtetërorë dhe përfaqësues të partive politike. Kryeministri Gruevski tha se qeveria është e gatshme të zgjidhë çështjen e emrit, por zgjidhja, sipas tij, nuk duhet të rrezikojë identitetin maqedonas.


Kryetari i Komisionit Evropian, Hose Manuel Baroso, kërkoi nga autoritetet në Shkup që sa më shpejt ta zgjidhin çështjen e emrit, që të mund të hapen negociatat për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Pas takimit në Ohër me kryeministrin Nikolla Gruevski, kreu i Komisionit Evropian, gjithashtu kërkoi përfundimin e reformave, vendosjen e dialogut politik dhe konsensus mes partive për çështjet me rëndësi strategjike për vendin.

“Çështja e emrit duhet të zgjidhet sa më shpejt që të jetë e mundur. Besoj se vendi juaj duhet t’i vazhdojë bisedimet me Bashkimin Evropian, por për këtë duhet të zgjidhet çështja e emrit. Shpresoj se do të zgjidhet një orë e më parë
”, deklaroi Baroso.

Kryetari i Komisionit Evropian, Baroso, tha se viti 2011 është vit i posaçëm për Maqedoninë pasi “këtë vit mbushen 10 vjet nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit, si dhe nga nënshkrimi i Marrëveshjes së Ohrit.

Hose Manuel Baroso dhe Nikolla Gruevski

Baroso gjithashtu shprehu besimin se Maqedonia do të arrijë zgjedhje të lira dhe demokratike, por nuk deshi të paragjykoj përmbajtjen e raportit të ardhshëm të Komisionit Evropian që do të publikohet në vjeshtë.

“Për t’u bërë pjesë e Bashkimit Evropian, nuk është me rëndësi të plotësohen vetëm disa kritere burokratike. Bëhet fjalë për modernizimin e vendit dhe shoqërisë në përgjithësi. Nga Gruevski kërkova që zgjedhjet të jenë të drejta dhe demokratike, në përputhje me parimet ndërkombëtare, si dhe të ketë liri të shprehjes për gazetarët”
, theksoi Baroso.

Ndërkohë, kryeministri Nikolla Gruevski, pas takimit tha se Maqedonia është e gatshme të zgjidhë kontestin me Greqinë, por zgjidhja, sipas tij, nuk duhet t’i rrezikojë interesat shtetërore dhe nacionale të Maqedonisë.

“Biseduam për një sfidë unike, me të cilën ballafaqohet Maqedonia, me çfarë deri tani nuk është ballafaquar asnjë vend kandidat në procesin e aderimit në BE, e ai është kontestit rreth emrit. Qëllimi është të gjendet një zgjidhje e përhershme dhe e qëndrueshme, zgjidhje e cila nuk do ta dëmton identitetin nacional gjuhësor dhe kulturor të popullit maqedonas”, u shpreh Gruevski.

Po ashtu Gruevski prezantoi para delegacionit Evropian edhe punën, që, sipas tij, është bërë në “përmbushjen e reformave në gjyqësi, në administratën publike dhe luftën kundër korrupsionit ”.

Gruevski theksoi se qeveria që ai drejton është e përkushtuar për vazhdimin edhe të reformave tjera me qëllim avancimin e shkallës së zbatimit të standardeve të BE-së në shoqërinë maqedonase, para së gjithash për shkak të përmirësimit të standardit jetësor të qytetarëve.

Baroso dhe komisionari për zgjerim i BE-së, Stefan Fyle, i cili gjithashtu qëndroi në Ohër, gjatë ditës u takuan edhe me presidentin Gjorgje Ivanov, si dhe me liderët e LSDM-së dhe BDI-së, Branko Cërvenkovski dhe Ali Ahmeti.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG