Ndërlidhjet

Osmani: Nuk mund të kemi koalicion parazgjedhor


Rufi Osmani

Rufi Osmani

“Nuk mund të kemi koalicion para zgjedhjeve. Aq më shumë pas prononcimeve të fundit, kushtimisht thënë, nga partitë më të mëdha që flasin qartë se një koalicion i kësaj natyre është i pamundur para zgjedhjeve”, thotë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryetari i Rilindjes Demokratike Kombëtare në Maqedoni, Rufi Osmani.


RADIO EVROPA E LIRË
Skenës politike në Maqedoni i bashkëngjitet edhe një parti e re politike shqiptare, Rilindja Demokratike Kombëtare. Cili do të jetë pikësynimi i RDK-së, që e drejtoni ju?

RUFI OSMANI
Historiku i partive politike shqiptare në Maqedoni, dëshmon se pas periudhave të caktuara kohore, të cilat mund t`i definojmë si cile politike pesëvjeçare ose dhjetëvjeçare, ngjallet një pakënaqësi e madhe me të arriturat e faktorit politik shqiptar - kjo është e para.

E dyta, kjo pakënaqësi është objektive dhe për pasojë të faktit se partitë politike shqiptare janë kryekëput struktura politike hermetikisht të mbyllura, të cilat kanë kapacitete të pamjaftueshme demokratike, për të mos thënë se demokracinë e kanë të përjashtuar si mënyrë të funksionimit.

Dhe, e treta, ne konsiderojmë se Marrëveshja e Ohrit nuk ka arritur objektivat e asaj për çka propagandohej, si nga ata që e nënshkruan, ashtu edhe nga faktori i brendshëm dhe i jashtëm. Mendojmë se kjo marrëveshje nuk i definon në kuptim të plotë raportet shqiptaro-maqedone, andaj ne ofrojmë dhe tri shtylla të programit tonë, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me arritjen e shtet-formësisë shqiptare në Maqedoni, si një federalizim joterritorial ose institucional.

Ne ofrojmë një demokraci konsensuale shumë më të gjerë, dhe ofrojmë një autonomi lokale sipas modelit të 1974-s, kuptohet duke përjashtuar komponentin ideologjik të asaj kohe si tri elemente bazë, me të cilat Maqedonia do të stabilizohej në kuptimin ndëretnik.

Mirëpo, këto objektiva ne gjithashtu i lidhim ngushtë në kuadër të integrimit të vendit në NATO dhe në Bashkimin Evropian.

RADIO EVROPA E LIRË
Ju keni hedhur idenë e formimit të një koalicioni gjithëpërfshirës të partive politike shqiptare, pasi të ketë përfunduar procesi zgjedhor, ndërkohë që ka disa nisma nga qarqe të caktuara, si nga Tirana, ashtu dhe Prishtina zyrtare njëherësh dhe lobi amerikan, që koalicioni të bëhet para zgjedhjeve. Ku është këtu divergjenca, në fakt pse e shihni më të arsyeshme koalicionin e partive shqiptare vetëm pasi të kenë përfunduar zgjedhjet e parakohshme parlamentare?

RUFI OSMANI
Objektivisht, ndaj bindjen, duke njohur mirë udhëheqësit e partive politike shqiptare dhe duke pasur parasysh një antagonizëm të jashtëzakonshëm ndërmjet partive më të mëdha shqiptare këtu në Maqedoni, se një marrëveshje parazgjedhore gati se është e pamundur, aq më shumë se nuk ka dhe kritere të mirëfillta, të cilat do të përcaktonin se kush dhe sa peshon sot.

Disa koalicione të paralajmëruara me partitë minore vlerësoj se nuk paraqesin peshë relevante në kuptim të ndarjes së kulaçit zgjedhor. Andaj dhe ideja jonë bazë është se fillimisht të garojmë në zgjedhje, në një atmosferë fer dhe demokratike, në një proces që do ta respektojë votën e lirë dhe më pas, pasi të ketë përfunduar i tërë procesi zgjedhor, në varshmëri nga legjitimiteti politik, të bëjmë një pakt gjithëshqiptar.

Në këtë pakt do të përshihen të gjitha partitë politike shqiptare, ose vetëm dy partitë politike më të mëdha, ashtu që shqiptarët do të kenë një pozicion më të fortë karshi faktorit politik maqedonas, i cili besoj se kësaj radhe nuk do të arrijë të ketë shumicën parlamentare ashtu siç ka qenë deri më tani.

Ky pakt, kjo formë e aspiratave tona si shqiptarë, në kuptim të politikës, të japë relevancën e duhur politike, si një mundësi për t`u realizuar në kuadër të qeverisë së ardhshme dhe pse jo edhe një mandat optimal i definuar nga një ujdi e arritur ndërmjet palës shqiptare dhe asaj maqedonase.

RADIO EVROPA E LIRË
Pra, përfundimisht mbeteni në qëndrimin që koalicioni të bëhet vetëm pasi të kenë përfunduar zgjedhjet?

RUFI OSMANI

Nuk mund të kemi koalicion para zgjedhjeve. Aq më shumë pas prononcimeve të fundit, kushtimisht thënë, nga partitë më të mëdha që flasin qartë se një koalicion i kësaj natyre është i pamundur para zgjedhjeve. Pas zgjedhjeve mbeten të hapura të gjitha çështjet për t’u biseduar dhe negociuar varësisht nga rezultatet e arritura në zgjedhje.

RADIO EVROPA E LIRË
Zoti Osmani, ju keni ndërtuar platformën politike të Rilindjes Demokratike Kombëtare, që gjithsesi prek dhe ndryshimin e Kushtetutës. Mendoni se kjo mund të realizohet, duke pasur parasysh që vendi u përball me një konflikt të armatosur? Pra, cilat do të jenë argumentet tuaja bazë për ta bindur palën maqedonase ta bëjë këtë?

RUFI OSMANI
Unë jam politikan, i cili me vetëdije i qaset kësaj çështjeje. E di, maqedonasit që nga 1992, kur u miratua Kushtetuta e parë e Maqedonisë, injoruan kërkesat politike shqiptare. Edhe gjatë 2001-s, pas konfliktit të armatosur, ata (politikë-bërësit maqedonas), relativizuan në masë të madhe kërkesat e dala nga kryengritja e armatosur e shqiptarëve.

Jo rastësisht, unë, si kryetar i RDK-së ofroj që çështja e ndryshimeve kushtetuese të realizohet në kuadër të një ambienti më të relaksuar politik, ekonomik, social, në kuadër të procesit të integrimit të Maqedonisë në strukturat euroatlantike, ku paraprakisht do të duhet të realizohet uniteti politik shqiptar.

Nëse ky unitet, që duhet të jetë një unitet demokratik institucional, nuk arrin të realizohet, atëherë kjo agjendë jona politike bëhet vështirë e realizueshme ashtu siç ka qenë edhe gjatë periudhës së fundit 20-vjeçare.

RADIO EVROPA E LIRË
Për dy muaj pason gara zgjedhore. Kush janë njerëzit që do ta përfaqësojnë RDK-në, çfarë kuadri është ai që do të duhet t`i çojë para këto procese, për të cilat ju zotoheni?

RUFI OSMANI
Kuadri i RDK-së, po dhe lista e deputetëve, kryesisht përbëhet nga kuadro të dëshmuar si profesionistë, me performansë intelektuale të lartë, njerëz të ndershëm, gjithsesi njerëz politikisht të pakonsumuar.

Unë çmoj se kuadri që do të përfaqësojë listën për deputetë të RDK-së, është i ngjashëm me parimet që vlejnë për udhëheqësin e partisë dhe mbaj bindjen se oferta jonë, sa i parket kuadrit, do të jetë shumë më cilësore sesa atë që do ta ofrojnë partitë tjera. Andaj dhe jam i bindur se në këto zgjedhje do të garojmë si fitues që kanë marrë besimin e elektoratit shqiptar.

RADIO EVROPA E LIRË
Dhe, krejtësisht në fund, zoti Osmani, si e shihni ju perspektivën e Maqedonisë? Keni theksuar se do të angazhoheni për tri gjëra me interes jetik për të ardhmen e vendit: zgjidhjen e problemeve mes dy etniteteve më të mëdha, shqiptarëve dhe maqedonasve, zhvillimin ekonomik dhe zhbllokimin e procesit integrues. Si mendoni ta realizoni këtë, sidomos zgjidhjen e çështjes së emrit?

RUFI OSMANI
Po, gjithsesi, unë them se zhbllokimi i procesit integrues është parakusht për realizim më të suksesshëm të reformave ekonomike sociale, në veçanti për relaksimin e raporteve ndëretnike, si dhe për rritjen e kapaciteteve institucionale, si parakushte që ne nesër të hapim thënë kushtimisht “Kutinë e Pandorës”, për ridefinimin e statusit politik dhe juridik të shqiptarëve të Maqedonisë.

Rrjedha e çështjeve është me sa vijon, së pari të debllokohet procesi integrimit, zgjidhja duhet ofruar dhe nga faktori ndërkombëtar, mbase sipas modelit që rezultoi me sukses në zgjidhjen e kontestit slloveno-kroat dhe më pas çështjet do të marrin rrjedhën e vet pozitive, duke pasur parasysh se Evropa dhe bota, gradualisht do të rimëkëmben nga kriza ekonomike dhe sociale.

Pra, të gjithë këta janë faktorë të domosdoshëm që çojnë kah një stabilizim, pse jo dhe një prosperitet i Ballkanit me statuse të avancuara të kombeve të ndara, si në këtë rast kombit shqiptar në Maqedoni, që të realizohet një aspiratë e të gjithë popujve që të jetojnë të bashkuar në kuadër të Evropës së bashkuar.
XS
SM
MD
LG