Ndërlidhjet

logo-print

Krizat - humbje kohe lidhur me kriteret evropiane


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Brenda gjashtë muajve të ardhshëm, institucionet kosovare duhet ta përshpejtojnë dinamikën e punës rreth përmirësimit të kritikave që dolën nga Raporti i fundit i Progresit të Komisionit Evropian për vendin, vlerësojnë njohësit e rrethanave politike në Prishtinë. Përfaqësues të institucioneve kosovare, ndërkaq, thonë se zhvillimet e muajve të fundit kanë shpërqendruar Kosovën nga agjenda evropiane dhe përmbushja e kritereve drejt BE-së.


Autoriteteve kosovare u ka mbetur më pak se një muaj për të dëshmuar progres në fushat, për të cilat Komisioni Evropian, në raportin e tij të fundit, evidentoi mangësitë dhe ngecjet më të mëdha.

Në fillim të muajit maj, Zyra Ndërlidhëse e këtij mekanizmi në Prishtinë, do të dërgojë në Bruksel vlerësimet e para për arritjet e Kosovës në fushën politike, ekonomike dhe për ato që kanë të bëjnë me standardet evropiane.

Zëvendëskryetari i parë i Komisionit parlamentar për integrime evropiane, Xhavit Haliti, thotë se zhvillimet politike të muajve të fundit kanë shpërqendruar autoritetet kosovare lidhur me përmirësimin e kritikave që dolën nga Raporti i Fundit i Progresit i Komisionit Evropian.

Megjithatë, ai shpreh bindjen se brenda muajit të ardhshëm do të bëhen hapa pozitivë nga institucionet përkatëse.

“Institucionet janë vonuar. Është kriza e krijimit të koalicionit, kriza e presidentit dhe kështu me radhë. Shpërqendrimi me të vërtetë ka qenë i të gjithëve, por besoj që mekanizmat që merren me progresin që duhet ta bëjë Kosova, janë të angazhuara - në këtë rast, të gjitha institucionet shtetërore të Kosovës janë duke e bërë punën e tyre
”, thotë Haliti.

Raporti i fundit i Progresit të Komisionit Evropian për Kosovën, karshi të arriturave që pati përmendur në kriteret politike - sidomos lidhur me procesin e decentralizimit, vuri në pah dhe ekzistimin e mungesës së vullnetit politik për të luftuar korrupsionin, ndikimin politik në emërimin e gjykatësve dhe mungesën e lirisë së shprehjes.

Analisti Ismajl Hasani vlerëson se për shkak të krizave institucionale që pasuan zgjedhjet e fundit parlamentare në vend, Kosova ka humbur kohë të vlefshme, brenda së cilës do të duhej të përqendrohej në përmirësimin e këtyre kritikave.

“Në planin strategjik është normale që Kosova ka humbur, po ashtu, kohë të pakompensueshme sa i takon përballjes së drejtpërdrejtë me dukuritë negative në shoqëri, duke e ditur se njëri prej kritereve për integrim në Bashkimin Evropian, është lufta e pakompromis kundër korrupsionit dhe dukurive të tjera negative në shoqëri
”, thekson Hasani për Radion Evropa e Lirë.

Hasani shton se deri në muajin shtator - kur përafrohet puna rreth finalizimit të raportit, institucionet vendore do të duhej ta përshpejtonin dinamikën e punës për të dëshmuar progres në kritikat që dolën nga Raporti i Progresit të 2010-s.

Analisti Hasani thekson se pa një përkushtim më të madh të Prishtinës zyrtare, Kosova do të rrezikojë të mbetet e fundit në rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.

“Kosova gabon nëse pret sinjale prej Brukselit. Kosova duhet ta sensibilizojë Brukselin, që në kuadër të mekanizmave institucionalë të Bashkimit Evropian t’i zgjatet dora Kosovës, por t’i zgjatet dora Kosovës vetëm atëherë kur institucionet e Kosovës të tregojnë punë të përgjegjshme sa i takon përmbushjes së detyrave”
, nënvizon Hasani.

Raportet e fundit të Progresit të Komisionit Evropian u publikuan në vjeshtën e fundit në kuadër të së ashtuquajturës paketë e zgjerimit e BE-së.

Kosovës, të vetmit vend në rajon, i cili ka mbetur i papërfshirë në procesin e liberalizimit të vizave me BE-në, thuhet se i nevojitet një strategji më precize për përmbushjen e kritereve evropiane.
XS
SM
MD
LG