Ndërlidhjet

Kurti: Kosova përfiton nëse del nga dialogu


Albin Kurti
Albin Kurti
Kryetari i Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, Albin Kurti, bëri thirrje që bisedimet Prishtinë - Beograd të ndërpriten. Lideri i Vetëvendosjes, përmes një konference për media, sqaroi detaje të takimit me koordinatoren për bisedimet me Serbinë, Edita Tahiri, së cilës i kërkoi të tërhiqet nga bisedimet.


Lideri i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cilësoi bisedimet Kosovë - Serbi si të padrejta dhe shumë të rrezikshme.

Duke folur në cilësinë e kryetarit të Komisionit Parlamentar për Politikë të Jashtme në Kuvendin e Kosovës, deputeti Albin Kurti tha se Kosova fiton në këto bisedime vetëm nëse i ndërpret ato.

Kurti tha se zëvendëskryeministrja Edita Tahiri, koordinatore e delegacionit të Kosovës në bisedimet me Serbinë, ka zhvilluar një takim me Komisionin për Politikë të Jashtme, ku ajo ka mbrojtur qëndrimin se bisedimet janë të karakterit teknik.

Por, siç tha Kurti, objekt i bisedimeve është Kosova, kurse çështjet që janë në tavolinë nuk janë teknike, kështu që ai kërkoi ndërprerjen e këtij dialogu.

“Në bisedimet në Bruksel qartazi po negociohet me Serbinë për çështje të brendshme të Kosovës. Sigurisht që të gjitha informatat shtesë që i morëm nga zëvendëskryeministrja Tahiri paraqesin argumente shtesë që këto bisedime janë të padrejta, të dëmshme për të tashmen dhe të rrezikshme për të ardhmen e Kosovës. Kosova do të mund të përfitonte vetëm e vetëm nëse ndërpriten këto bisedime”
, u shpreh Kurti.

Në vazhdim, deputeti Albin Kurti tha se Kosova dhe Serbia mund të nënshkruajnë shumë shpejt marrëveshjen e parë në lidhje me marrjen e kopjeve të regjistrave të gjendjes civile nga Serbia. Një marrëveshje të tillë ai e cilësoi të papranueshme.

Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe beogradit në Bruksel.

Kurti e bëri përgjegjës kryeministrin Hashim Thaçi, “për agjendën, sajimin e kontekstit të bisedimeve dhe renditjen e temave. Kurti tha se kryeministri “do të duhej që të jepte llogari se çfarë ka biseduar dhe si është dakorduar me z.Robert Kuper, këshilltar i baroneshës Katrin Eshton për temat dhe radhitjen e tyre”.

“Këto bisedime kanë filluar në shtatorin e vitit të kaluar në kuadër të përgatitjeve për dialogun aktual. Takimet Kuper -Thaçi dhe Kuper -Tadiq e kanë sjelluë këtë agjendë që ende s’është plotësisht publike”.

“Pra, përgjegjësinë e plotë për agjendën, sajimin e kontekstit të bisedimeve dhe renditjen e temave aty e mban kryeministri Thaçi dhe ai do të duhej që të jepte llogari se çfarë ka biseduar dhe si është dakorduar me Robert Kuper për këto tema dhe radhitjen e tyre”,
theksoi Kurti.

Sipas Kurtit, përderisa kryesuesi i delegacionit të Serbisë, Borko Stefanoviq, di gjithçka për këto bisedime, qytetarët e Kosovës dhe deputetët e zgjedhur dinë fare-fare pak.

Ndërkohë, në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, kryenegaociatorja Edita Tahiri, deklaroi se dialogu i nisur ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, është teknik dhe i tillë do të mbetet deri në fund. Për dallim nga Kurti, zëvendëskryeministrja Tahiri tha se këto bisedime teknike po zhvillohen ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe objektivi i parë është që të kontribuohet në përmirësimin e jetës së qytetarëve në të dyja vendet.

Lexoni edhe këtë:

Ivanoviq: Bisedimet mund të zgjasin 10 vjet
XS
SM
MD
LG