Ndërlidhjet

Dialogu, pa vullnet e pa rezultate


Nga raundi i parë i bisedimeve...
Nga raundi i parë i bisedimeve...
Bisedimet ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit janë paralajmëruar të vazhdojnë këtë javë me diskutimet mbi lëvizjen e lirë të qytetarëve dhe të automjeteve dhe mbi temat për të cilat nuk është arritur ndonjë marrëveshje në dy raundet paraprake.

Që nga nisja e bisedimeve në fillim të muajit mars, palët kanë trajtuar problemet që ndërlidhen me regjistrin civil, kthimin e dokumenteve kadastrale, CEFTA-n e vulat doganore, energjinë dhe postë- telekomunikacionin. Por, megjithatë, nuk është raportuar për ndonjë marrëveshje konkrete për zgjidhjen e këtyre çështjeve.

Kryetarja e Komitetit të Helsinkit në Beograd, Sonja Biserko, tha se mungesa e marrëveshjeve konkrete ndërmjet delegacionit serb e atij kosovar ka të bëjë me qëndrimet ende të kundërta ndërmjet palëve dhe atmosferës ekzistuese në fillim të bisedimeve.

Biserko theksoi që rezultatet nga procesi, i cili, sipas saj, ka nisur në frymën e një presioni të Brukselit zyrtar, duhet të nxiten nga vetë Bashkimi Evropian.

Sonja Biserko
“Ata duhet të jenë më të qartë. Mendoj se duhet t’i kushtëzojnë me të vërtetë të dyja palët, duke lënë të kuptohet se rezultatet e dialogut do të ndikojnë te të dyja palët ose duke bërë të ditur që përfitimet e dialogut do të jenë për të dyja palët në procesin e hyrjes në BE. Mendoj se përfitime duhet të ketë për të dyja palët”,
theksoi Biserko.

Për shkak të insistimit evropian për nisjen e bisedimeve, analisti Ramush Tahiri, duke folur vetëm në cilësinë e politologut, nuk e përjashtoi mundësinë që Prishtina e Beogradi të kenë hyrë në këtë proces vetëm sa për ta zhvilluar atë.

Ndonëse pas takimit të dytë ndërmjet palëve, Bashkimi Evropian përmes një komunikate për shtyp pati njoftuar se është vendosur që palët të formojnë grupin punues të udhëhequr nga EULEX-i, i cili do të çojë përpara punën praktike për kompletimin e të dhënave të regjistrit civil, Tahiri tha se ecuria e deritashme e bisedimeve dëshmon mungesën e një vullneti politik për të zbatuar rezultate konkrete në terren.

Ramush Tahiri
Po mungon vullneti politik i palëve që të gjendet marrëveshja dhe të gjendet zgjidhja e të nënshkruhet, le të themi, një protokoll bashkëpunimi, me të cilin i jepet udhë zgjidhjes së secilit rast konkret - ose përmes komisioneve të përbashkëta që krijohen, ose përmes një praktike evropiane -një autoriteti të respektueshëm ndërkombëtar, i cili do ta impononte zgjidhjen, por ajo zgjidhje që do të ofrohej të ishte në kuadër të ligjeve edhe të vendit, por para së gjithash edhe ndërkombëtare”, tha Tahiri.

Mirëpo, edhe gjatë kohës kur po vazhdon dialogu teknik ndërmjet Prishtinës e Beogradit, në Serbi janë bërë deklarata politike të ndërlidhura me rezultatet eventuale të këtij procesi teknik. Biserko foli për përshtypjet e saj lidhur me prapavijën e këtyre deklaratave:

“Ajo që është shqetësuese është se kemi pasur së fundi disa deklarata në Serbi, jashtë procesit të dialogut. Një sugjerim shqetësues që është dhënë nga elita serbe është se shqiptarët e serbët do të duhej të arrinin një marrëveshje historike, e cila, në fakt, nënkupton ndarjen e Kosovës”.

“Ata nuk thonë diçka konkrete lidhur me këtë e as nuk e përmendin datën, por kjo është një gjë që po sugjerohet dhe pritet. Deri më tani, kemi qenë dëshmitarë të testimit të palëve, se sa ato do të jenë në gjendje të arrijnë kompromis dhe sa në të vërtetë ka gatishmëri për të vazhduar dialogun”,
u shpreh Biserko.
XS
SM
MD
LG