Ndërlidhjet

Minsk: 12 të vdekur nga sulmi në metro

  • RFE /RL

Minsk, 12 prill 2011

Minsk, 12 prill 2011

Autoritetet e Bjellorusisë janë zotuar t'i ndjekin autorët e shpërthimit në stacionin e metrosë në kryeqytetin Minsk, i cili la 12 të vdekur dhe 150 të plagosur.

Deklarata e lëshuar nga shërbimi i sigurisë KGB thotë se bilanci i të vdekurve është 12, ndërsa 149 kanë kërkuar ndihmë mjekësore, nga të cilët 22 mbeten në gjendje të rëndë.

Prokurorët e kanë përshkruar shpërthimin si "akt terrorist", por nuk kanë dhënë detaje tjera.

Shpërthimi ndodhi në orët e pasditës në stacionin Oktjabrskaja, rreth 100 metra nga ndërtesa ku ndodhen zyrat e presidentit Aleksander Lukashenko.

Askush ende nuk e ka marrë përgjegjësinë, por policia i ka shtuar masat e sigurisë për t'u mbrojtur nga ndonjë sulm i ngjashëm.

Zëdhënësi i shërbimit sekret bjellorus, KGB, Aleksandar Antonoviq, tha se forca e mjetit shpërthyes ka qenë ekuivalente me 5 kilogramë tritol.

Për momentin, numri i të vrarëve është 12, nga të cilët gjashtë janë identifikuar; 149 njerëz kanë kërkuar ndihmë mjekësore në institucione të ndryshme mjekësore”, tha Antonoviq.

Presidenti Lukashenko e quajti shpërthimin përpjekje për të destabilizuar vendin dhe nuk e përjashtoi mundësinë e involvimit të të huajve, duke e quajtur shpërthimin "dhuratë" që "mund të jetë sjellë nga jashtë".

"Njerëz, ju e shihni se jemi sfiduar dhe duhet të kuptojmë se kjo është një sfidë shumë serioze. Ne duhet të japim përgjigje të duhur. Dhe, kjo përgjigje duhet gjetur", tha Lukashenko në një fjalim televiziv.

Ai u bëri thirrje bjellorusëve që t'u ndihmojnë hetuesve për të përcaktuar se kush e kreu shpërthimin.

Presidenti gjithashtu spekuloi se shpërthimi mund të jetë i lidhur me shpërthimin e vitit 2008.

Në korrik, 2008, shpërthimi i bombës në koncertin ku merrte pjesë edhe Lukashenko, plagosi rreth 50 njerëz në Minsk. Nuk janë raportuar arrestime për këtë rast.

Raportohet se e mërkura do të jetë ditë zie kombëtare për viktimat e shpërthimit të së hënës.(v.p.)


XS
SM
MD
LG