Ndërlidhjet

logo-print

Times: Të ndalohet shndërrimi i Bosnjës në një Libi të dytë


Millorad Dodik - foto arkiv

Millorad Dodik - foto arkiv

"Times"

Jehonat ogurzeza paralajmërojnë se vendi po shkon drejt shpërbërjes dhe konfliktit. Politika jonë toleruese duhet të përfundojë, shkruan ish-përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnjë, Pedi Eshdaun, për të përditshmen “Times”.

Asgjë më mirë nuk e ilustron dobësinë e Perëndimit karshi çrregullimeve në zhvillim, sesa politikat kundërthënëse që ka në raport me Libinë dhe Bosnjë e Hercegovinën.

Veprimi maksimal është aplikuar “për të mbrojtur Libinë nga shndërrimi në një Bosnjë të dytë”. Por, mungesa e veprimit, e lindur nga lodhja, përgjumja dhe gjykimi thjesht i gabuar, është përgjigjja dhënë Bosnjës, derisa ajo po rrëshqet drejt statusit të një shtetit të dështuar, e mbase edhe një konflikti të ri me vetveten, vijon artikulli.

Bosnja aktualisht përbëhet nga dy nëndarje, të quajtura “entitete”. Millorad Dodik, kryetari i Republikës Serbe – njësi me shumicë serbe – vazhdon të përdorë çdo mundësi për të minuar shtetin boshnjak dhe për të nxitur ndarje.

Zoti Dodik nuk është nacionalist – ai është një opurtunist, i cili përdor nacionalizmin për qëllime politike. Kjo ka qenë e vërtetë edhe për Millosheviqin dhe, padyshim, kjo është duke nxitur një ngritje të mprehtë të tensioneve etnike.

Të udhëhequr nga zoti Dodik, shkruan gazeta, serbët e Bosnjës janë të angazhuar në shkallë të gjerë në mohimin e gjenocidit në Srebrenicë.

Tani, zoti Dodik u bën thirrje serbëve në qeverinë qendrore të largohen nga kryeqyteti i Sarajevës drejt Republikës Serbe. Padyshim që ai po e bën një gjë të tillë për t’i pasur ata në vendin e duhur, kur të vijë momenti i ndarjes.

Dhe kështu, dalëngadalë, derisa Brukseli fle, Uashingtoni është i hutuar dhe kancelaritë e Evropës, të goditura nga krizat e veta ekonomike, shohin me vendosmëri në drejtim të kundërt, Bosnja po rrëshqet thellë e më thellë drejt mosfunksionimit, e mbase dhe më keq. Për momentin, konflikti mbetet një opsion me pak gjasa, por jo edhe i pamundshëm.

Kjo politikë e mospërzierjes duhet të përfundojë, shkruan Eshdaun. Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara duhet të angazhohen përsëri. Ato duhet të bëjnë çdo gjë që është e nevojshme për të parandaluar shpërbërjen e Bosnjës, për të ndihmuar atë të ndërtojë një shtet plotësisht funksional, të aftë për të hyrë në Bashkimin Evropian dhe për t’i kapërcyer ata që i dalin në rrugë. Të thuhet se jemi shumë të zënë në pjesë të tjera të botës, nuk është një gjë e mirë.

Vendi është i mbushur me armë dhe veteranë ende të aftë për të luftuar. Unë thjesht nuk mund t’i shoh myslimanët boshnjakë t’i lejojnë vetes të bllokohen në një xhep të vogël të Bosnjës qendrore, të izoluar, të lënë anash nga Evropa dhe të rrethuar nga të gjitha anët me armiq. Ata nuk e lejuan një gjë të tillë 20 vjet më parë, kundër goditjeve edhe më të rënda. Ata nuk do të lejojnë as tani, shkruan Pedi Eshdaun për të përditshmen “Times”. (v.t.)
XS
SM
MD
LG