Ndërlidhjet

Kosovë: Veriu nuk është përfshirë në regjistrim


Veriu i Kosovës nuk është përfshirë, as në ditën e 12-të prej nisjes së procesit, në regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive familjare, pohuan përfaqësues të qeverisë së Kosovës dhe ata të Entit të Statistikave.

Megjithatë, ata thanë se janë duke i vazhduar konsultimet me mekanizmat e tjerë përgjegjës për regjistrimin e popullsisë, për ta nisur këtë proces edhe në veri të vendit.

Ministri i shërbimeve publike, Mahir Yagcillar, tha se në takimin e fundit të komitetit drejtues është bërë e ditur se janë duke vazhduar përpjekjet me Komisionin Evropian, me UNOP-sin dhe me donatorët e tjerë për t’i ftuar të gjithë qytetarët e Kosovës që të marrin pjesë në regjistrim.

Pavarësisht bojkotimit të deritashëm të procesit nga serbët që jetojnë në zonat përtej lumit Ibër në Mitrovicë, Yagcillar shprehu bindjen se procesi nuk do të dështojë në atë pjesë të vendit.

Ai bëri të ditur se për ta përfunduar procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare në veri është parashikuar një afat shtesë kohor, ndërsa theksoi se procesi kryhet në baza vullnetare.

“Edhe me kohë edhe me dëshirë kjo çështje mund të bëhet, sepse ne dëshirojmë vërtetë të kemi pjesëmarrje. Në qoftë se nuk do të jetë pjesëmarrja, atëherë edhe procesi-pa marrë parasysh a do të fillojë nesër apo pasnesër, nuk do të jetë i suksesshëm”, u shpreh ai në një konferencë për media ku u bë gjithashtu e ditur se brenda dhjetë ditëve të para të procesit të regjistrimit të popullsisë janë regjistruar përafërsisht 1.5 milion banorë të Kosovës.

Regjistrimi i popullsisë nisi në fillim të këtij muaji, ndërsa është parashikuar të përfundojë brenda 15 ditëve.

Regjistrimi i fundit i popullsisë në Kosovë është mbajtur para 30 vjetësh.
XS
SM
MD
LG