Ndërlidhjet

Sa ka kushte për riatdhesim?


Në kampin Plementin...

Në kampin Plementin...

Qeveria e Kosovës vazhdon të nënshkruajë marrëveshje për riatdhesimin e personave që kanë migruar nga Kosova në vendet e Bashkimit Evropian.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, thotë se deri më tani janë nënshkruar tetë marrëveshje me shtete të BE-së, ndërsa në muajt e ardhshëm pritet të bëhet nënshkrimi edhe me tetë shtete të tjera.

Bajram Rexhepi
Disa do të nënshkruhen gjatë prillit - me Slloveninë dhe me vendet e Beneluksit, ndërsa disa gjatë majit. Do të thotë, deri nga gjysma e verës ne do të nënshkruajmë një numër të konsiderueshëm marrëveshjesh – me rreth 15 vende – që janë të mjaftueshme për procesin e liberalizimit të vizave me ato shtete ku ka më shumë qytetarë tanë”, thotë Bajrami.

Riintegrimi i personave të riatdhesuar vlerësohet të jetë një ndër kushtet kryesore, të cilat duhet të përmbushen nga pala kosovare lidhur me liberalizimin e vizave.

Përfaqësues të shoqërisë civile kritikojnë ekzekutivin e vendit sa i përket procesit të riatdhesimit dhe riintegrimit të kosovarëve.

Hilmi Jashari, nga organizata joqeveritare “Programi për të Drejtat Civile”, thotë se Qeveria e vendit nuk i ka bërë përgatitjet adekuate për riintegrimin e personave të riatdhesuar. Sipas tij, ky proces ka filluar vetëm për të përmbushur kriteret për liberalizim të vizave.
Çështjet praktike për personat që riatdhesohen në Kosovë ende janë larg standardeve.

“Çështjet praktike për personat që riatdhesohen në Kosovë ende janë larg standardeve. Ne si shoqëri civile po mundohemi t’i mbulojmë ato zbrazëtirat që janë krijuar nga ana e vetë pushtetit, duke ofruar ndoshta edhe shërbime juridike falas, programe të edukimit, këshillime etj.”, thotë Jashari.

Ministri Bajram Rexhepi pranon se ka vështirësi në këtë proces, por ai thotë se është obligim i institucioneve kosovare që duhet të përmbushet.

Rexhepi thotë se brenda një viti në Kosovë riatdhesohen afër 2,600 persona - mbi 70 për qind e tyre janë shqiptarë, kurse mbi 15 për qind pjesëtarë të komunitetit rom, ashkali dhe egjiptas.

“Një pjesë e tyre i kanë shitur pronat e veta dhe është vështirë për t’iu siguruar akomodim të mirëfilltë. Disa kanë probleme edhe me adaptimin në sistemin tonë shkollor - kanë një mentalitet krejt tjetër dhe është shumë vështirë të adaptohen”.

“Është proces që nuk është i lehtë, por është obligim i yni. Ne mundohemi të bëjmë më të mirën të mundshme konform edhe shteteve tjera që veprojnë”,
thekson ministri Rexhepi.

Për të realizuar procesin e riatdhesimit dhe të riintegrimit të personave të kthyer, Qeveria e Kosovës, për vitin 2011, ka ndarë 3.5 milionë euro.

Lexoni edhe këtë:
Varfëria rrit migracionin
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG