Ndërlidhjet

Greva e farmacistëve


Foto ilustruese
Foto ilustruese
Farmacistët e Kosovës kanë nisur grevën 24-orëshe me mbylljen e të gjitha barnatoreve në vend. Greva vjen si kundërpërgjigje ndaj konfiskimit që, javëve të fundit, u kanë bërë ilaçeve pa banderola Doganat e Kosovës.

Farmacistët thonë se konfiskimin e barnave mund ta bëjë vetëm Agjencia për Produkte Medicinale, por jo Doganat e Kosovës.

Kryetari i Shoqatës së Farmacistëve, Kadri Bytyqi, tha se Ministria e Shëndetësisë duhet ta zgjidhë këtë problem, i cili po zgjat me vite të tëra.
Kemi hyrë në grevë, sepse është vënë në rrezik ushtrimi i profesionit të farmacistëve si profesionistë shëndetësorë.

“Kemi hyrë në grevë, sepse është vënë në rrezik ushtrimi i profesionit të farmacistëve si profesionistë shëndetësorë. Kemi biseduar me Ministrinë e Shëndetësisë dhe na vjen keq nga ministri i sapoardhur, sepse këto probleme janë rrjedhojë 10-vjeçare”, u shpreh Bytyqi.

Faik Hoti, drejtor i departamentit për informim në Ministrinë e Shëndetësisë, tha se protesta e Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës është një veprim i panevojshëm.

“Ministria e Shëndetësisë e ka vlerësuar si të panevojshme grevën e Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës dhe ka vlerësuar se një grevë e tillë nuk i shërben tejkalimit të situatës në vend. Sidoqoftë, Ministria e Shëndetësisë është duke e shqyrtuar me përkushtim dhe intensitet të shtuar tejkalimin e situatës”, deklaroi Hoti.

Edhe pse Shoqata e Farmacistëve ka përmendur Doganat e Kosovës, zëdhënësi i këtij institucioni, Adriatik Stavileci, ka një shpjegim të vetin:
Doganat kanë informacione të konsiderueshme se ka kontrabandim të barnave, të cilat futen kryesisht prej pjesës veriore të Kosovës.

“Çdo mall, i cili hyn në Kosovë, konsiderohet mall doganor - edhe nëse
nuk ka taksa, ai duhet të kalojë në një procedurë të zhdoganimit. Në rastin e barnave, doganat kanë informacione të konsiderueshme se ka kontrabandim të barnave, të cilat futen kryesisht prej pjesës veriore të Kosovës”.

“Ne kemi ndërmarrë disa aksione, ku kemi konfiskuar një sasi të konsiderueshme të barnave, për të cilat nuk kemi mundur të gjejmë dokumentacion të rregullt për zhdoganimin e tyre”,
tha Stavileci.

Farmacistët mendojnë se greva është shumë e arsyeshme. Natyra Spahiu, farmaciste në sektorin privat, u shpreh:

“Ajo që na ka shtyrë të hyjmë në grevë është fakti se nuk kemi barna të mjaftueshme të licencuara për pacientë. Duhet të furnizohemi me mall ilegalisht... Nëse inspektorati na i gjen ato barna, dënohemi me gjobë nga 1,500 deri në 5,000 euro - shuma që janë të papërballueshme për ne - ndërsa preparatet janë të nevojshme për shëndetin apo edhe jetën e pacientëve”.

Përfaqësues të Shoqatës së Farmacistëve të Kosovës tashmë kanë kërkuar anulimin e menjëhershëm të dënimeve prej 5 mijë eurosh, të lëshuara nga doganat për barnatoret e Kosovës.

Sipas tyre, barnatoret si institucione shëndetësore janë të licencuara nga Ministria e Shëndetësisë, andaj kanë kërkuar që inspektimi të bëhet vetëm nga inspektorati farmaceutik.

Sipas zotit Bytyqi, nëse kërkesat e tyre nuk do të plotësohen, greva do të vazhdojë për kohë të pacaktuar deri në përmbushjen e tërësishme të tyre.

Lexoni edhe këto:
Barnat: Përmirësim në furnizim
Furnizimi me barna - dyshime për keqpërdorim
XS
SM
MD
LG