Ndërlidhjet

logo-print
Partitë e koalicionit, PDK dhe AKR, pritet të finalizojnë marrëveshjen e re për ndarjen e ministrive. Si kompensim për humbjen e postit të presidentit, AKR-ja kërkon nga PDK-ja që t’i japë dy ministri shtesë dhe tre poste zëvendësministrash. Marrëveshja e re pritet t’i qartësojë edhe kompetencat e zëvendëskryeministrit të parë, Behxhet Pacolli.


Partitë e koalicionit qeverisës, Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re, pritet të ridefinojnë marrëveshjen gjatë kësaj jave.

Rishikimi i marrëveshjes së koalicionit vjen si rrjedhojë e humbjes së postit të presidentit nga ana e Behxhet Pacollit, pas zhvillimeve gjatë procedurave të çrregullta të zgjedhjes në Kuvend dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese që imponoi largimin e tij nga posti i presidentit.

Tani, sipas partive partnere, AKR-ja si kundër-shpagim për postin e presidentit kërkon që, përveç postit të zëvendëskryeministrit të parë, që i është ndarë tashmë Pacollit, AKR-ja të marrë nën drejtim edhe dy ministri dhe tre poste zëvendësministrash.

Ushtruesi i detyrës së kryetarit të AKR-së, Ibrahim Makolli, tha se një marrëveshje e tillë është dakorduar gjatë takimeve të zhvilluara ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi me Behxhet Pacollin, që sollën deri te tejkalimi i ngërçit politik me zgjedhjen e presidentit.

Ibrahim Makolli
“Është shtruar tashmë nevoja për një rishikim të marrëveshjes mes partnerëve të koalicionit. Në biseda me PDK-në jemi dakorduar që të ketë plus dy ministri shtesë të udhëhequra nga AKR-ja dhe tre zëvendëskryeministra - do të thotë, përpos postit të zëvendëskryeministrit të parë”.

“Përmes këtyre ndryshimeve do të kompensohej për koalicionin e AKR-së pozita e presidentit të vendit”,
tha Makolli.

Duke folur për ndryshimet që priten në qeveri, zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi deklaroi se ato nuk do të sjellin destabilizim në qeverisje.

Hajredin Kuçi
Këto ndryshime ai i cilësoi të vogla dhe tërhoqi vëmendjen se ministrat tash do të përqendrohen në punë, ngase mospuna mund t’i kërcënojë ata çdo herë me largim nga Qeveria.

“Qeveria është stabile, po funksionon, ndërsa lëvizje të vogla do të ketë vazhdimisht. Pres që shumë shpejt të bëhet një kompletim i tërësishëm. Puna do të jetë ajo që do ta mbajë dikë”, tha Kuçi.

Se a do të ketë vetëm zëvendësim të ministrave të PDK-së me ata të AKR-së në kuadër të ministrive ekzistuese apo do të shtohen ministri të reja në Qeveri, kjo çështje, sipas Ibrahim Makollit, ka mbetur të definohet ditët në vijim.

“Nuk kemi biseduar për këtë çështje, nëse do të ketë ministri të reja apo ekzistuese. Ka mbetur që ditët në vijim të ulemi të bisedojmë për dikasteret, të cilat do të udhëhiqen nga ana e AKR-së”, deklaroi Makolli.

Bisedimet ndërmjet Thaçit dhe Pacollit mund të sjellin formulën e re definitive të koalicionit qeverisës. Aktualisht flitet si mundësi që AKR-ja të marrë nën drejtim Ministrinë e Infrastrukturës dhe atë të Arsimit. Të dyja këto ministri aktualisht udhëhiqen nga PDK-ja.

AKR-ja ka kërkuar që gjatë javës të bëhet e qartë se çfarë nënkupton posti i zëvendëskryeministrit të parë, Behxhet Pacolli, pasi që pritjet e kësaj partie kanë qenë që ai të jetë edhe ministër i Jashtëm, ndërsa me vendimin e kryeministrit Thaçi, Pacolli ka marrë më shumë kompetenca në fushën e njohjeve, por jo edhe Ministrinë e Jashtme.

Marrëveshja fillestare i ka mundësuar PDK-së të udhëheqë me 10 ministri, kurse AKR-ja me 3 ministri. Rishikimi i marrëveshjes mund të bëjë që PDK-ja të mbetet me 8, kurse AKR-së t’i shtohet numri në 5 ministri.

Katër ministri të tjera, ndërkaq, udhëhiqen nga pakicat dhe një nga Lista Ibrahim Rugova.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG