Ndërlidhjet

logo-print

Gjykatat në veri - pezull


Hyrja drejt Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë...

Hyrja drejt Gjykatës së Qarkut në Mitrovicë...

Përfaqësues të gjykatave në veri të Kosovës thonë se ende nuk janë krijuar kushtet për rifunksionalizimin e tërësishëm të këtyre institucioneve dhe kthimin e gjykatësve e prokurorëve vendorë në objektet e gjykatave në veri.

Kryetari i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, Xhevdet Abazi, tha për Radion Evropa e Lirë se Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK) ende nuk ka vendosur se kur do të mund të fillojnë punën gjyqtarët në veri.

Sipas njoftimeve të fundit jozyrtare, është përmendur 18 prilli si datë e funksionalizimit të gjykatave.

“As objekti nuk është i gatshëm ende. Data e përfolur nuk është e sigurt dhe tash për tash nuk kemi informatë të saktë se kur do të bëhet dorëzimi i objektit që ne të kalojmë andej. Isha në Këshillin Gjyqësor, as ata nuk e dinë një gjë të tillë”, tha Abazi.

Anëtarja e Këshillit Gjyqësor të Kosovës, Valdete Daka, mohoi të ketë informata konkrete për rikthimin e gjykatësve kosovarë në veri të qytetit të Mitrovicës.

Ajo tha se si anëtare e KGJK-së nuk është e informuar se kur do të mundësohet rifunksionalizimi i tërësishëm i atyre institucioneve në veri.

“Nuk jam e informuar se kur do të ndodhë kjo. Ndoshta kryesuesi ka më shumë informata. Me datën 18 ne në Këshill e kemi një takim”, deklaroi Daka.

Lëndë të pazgjidhura
Rikthimi i gjykatësve vendorë në ato institucione është kundërshtuar vazhdimisht nga përfaqësuesit e serbëve të veriut të Kosovës, të cilët madje kanë paralajmëruar destabilizimin e situatës së sigurisë në rast të realizimit të një plani për funksionimin e këtyre organeve të drejtësisë.

Marko Jakshiq është njëri prej tyre:

“Mendoj se ajo gjykatë nuk duhet të hapet, duke marrë parasysh se punëtorët e asaj gjykate janë punëtorë të shtetit kosovar. Ata njerëz janë dëbuar nga vendet e tyre të punës. Për këtë arsye mendoj se kjo është kompetencë e shtetit dhe e Qeverisë së Serbisë”.

“Mendoj se Qeveria e Serbisë mban qëndrimin që të mos hapet ajo gjykatë, duke marrë parasysh se është pronë e tyre dhe gjendet në veri të Mitrovicës, në kuadër të Gjykatës së Qarkut, që është në përbërje të gjykatës së shtetit serb”,
tha Jakshiq.

Por, drejtuesi i Gjykatës së Qarkut të Mitrovicës, Xhevdet Abazi, tha se funksionimi dhe puna e gjykatës në veri do të zhvillohet duke respektuar ligjet e Republikës së Kosovës.

Ajo çfarë paralajmërojnë një pjesë e qytetarëve - kushtimisht nëse mund të them kështu - është diçka tjetër, mirëpo gjykata si gjykatë dihet se në cilin shtet është dhe ku vepron e punon. Dihet se cilat ligje i kemi. Ne do t’i zbatojmë vetëm ligjet e Kosovës”, u zotua Abazi.

Zyrtarët e misionit të Bashkimit Evropian për sundimin e ligjit kanë thanë se kthimi në veri i punonjësve vendorë të gjyqësisë duhet të zgjidhet në rrafshin politik ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit dhe se në mungesë të një marrëveshjeje të tillë, atje aktualisht mund të punojnë vetëm misionarët evropianë.

Aktualisht në ndërtesën e Gjykatës Komunale dhe asaj për Kundërvajtje të Vushtrrisë, punën e tyre, me sistem rotativ, e zhvillojnë punonjësit vendorë të Gjykatës e Prokurorisë së Qarkut, Gjykatës e Prokurorisë Komunale dhe Gjykatës për Kundërvajtje të Mitrovicës.

Lexoni edhe këtë:
Gjykatat në veri - pa ndryshime
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG