Ndërlidhjet

logo-print
Partia politike më e madhe shqiptare në pushtet, BDI, të mërkurën bëri të ditur se do të garojë me tri oferta kryesore, integrimin e Maqedonisë në NATO dhe Bashkimin Evropian, zhvillimin ekonomik të vendit dhe implementimin e plotë të marrëveshjes së Ohrit.

Ermira Mehmeti-Devaja, zyrtare e lartë e BDI-së, u shpreh se në funksion të fitimit të më shumë mandateve të deputetëve shqiptarë, partia e saj angazhohet për një aleancë të përbashkët të të gjitha partive politike shqiptare.

Sipas saj, tashmë BDI-ja ka realizuar dhe disa konsultime me disa parti më të vogla, me të cilat është duke harmonizuar qëndrimet për dalje të përbashkët në zgjedhjet e ardhshme parlamentare.

“Aleanca, për të cilën ne angazhohemi, ka për bazë artikulimin e orientimit integrues të Maqedonisë, pra është pro integrimit të vendit në BE dhe NATO. Gjithashtu, për bazë ka dhe platformën e quajtur Marrëveshje e Ohrit, si dokument i cili është i garantuar ndërkombëtarisht dhe që garanton balancim politik dhe etnik ndërmjet maqedonasve dhe shqiptarëve dhe të gjithë të tjerëve”,
tha Mehmeti-Devaja.

Ndërkohë, lideri i Rilindjes Demokratike Shqiptare, Rufi Osmani, tha se është pro një koalicioni gjithëpërfshirës të faktorëve politikë shqiptarë, por pasi të kenë përfunduar zgjedhjet.

Megjithatë, sipas tij, bashkëpunimi duhet filluar që në fushatën zgjedhore, duke krijuar një klimë, e cila do të garantonte zgjedhje fer dhe demokratike.

“Edhe më tej i mbetem besnik qëndrimit tim publik se jam për atë që të gjitha partitë politike shqiptare të bëjmë një pakt për zgjedhje fer dhe të lira. Ndërsa, pas zgjedhjeve, dy partitë më të mëdha, të cilat do të kenë fituar më shumë mandate politike, të jenë bashkë ose pse jo, të jenë bashkë të gjitha partitë politike shqiptare”.

“Kështu ato do të ndërtonin një pozicion të fuqishëm politik të përfaqësimit të shqiptarëve në Parlament dhe në Qeveri, si i vetmi mekanizëm që çështja shqiptare në Maqedoni, e cila mbetet ende e hapur, të marrë një rrugëzgjidhje. Thjesht, oferta jonë vlen për të gjithë, pavarësisht nëse ndokush sot është në pushtet ose opozitë”,
theksoi Osmani.

Nga ana tjetër, kreu i PDSH-së ritheksoi qëndrimin e tij se pas zgjedhjeve, do të bisedojë me partitë opozitare për bashkëveprim, në bazë të numrit të votave që do të marrin subjektet politike, pos partisë, e cila në kuadër të përbërjes së saj, ka struktura të shërbimeve sekrete të UDB-së.

Menduh Thaçi, pas takimit me ambasadorin britanik u shpreh i bindur në fitoren e opozitës shqiptare.

“Sinqerisht, mendoj se ne kemi një epërsi të lehtë ndaj konkurrentit tonë, edhe pse pandërprerë na sulmojnë me sondazhe të rrejshme, parashoh se deri në ditën e zgjedhjeve një gjë do të jetë e sigurt - fituese te shqiptarët do të dalë opozita”.

“Jemi takuar me shumë njerëz të opozitës dhe për të qenë i sinqertë me opinionin, nuk kemi arritur ujdi për një koalicion të opozitës. Prandaj, këtë çështje e kemi lënë në ‘time-out’, të mos shkojmë më tej e të prishen raportet tona, por duke krijuar hapësirë për bashkëveprim të opozitës pas zgjedhjeve”,
u shpreh Thaçi.

Ndërkaq, Sulejman Rushiti nga Demokracia e Re, tha se unifikimi votës shqiptare para ose pas zgjedhjeve, është i domosdoshëm me qëllim që pas zgjedhjeve të kushtëzohet mandatari i Qeverisë së ardhshme me plotësimin e kushteve të shqiptarëve.

“E patjetërsueshme është që politika shqiptare të bëjë një marrëveshje ku do të vendoseshin qartë vijat e kuqe që çështjet me interes jetik për shqiptarët, të mos bëhen pjesë e negociatave gjatë koalicioneve të mundshme, por thjesht ato kërkesa të jenë të patjetërsueshme për t`u realizuar pavarësisht se cila parti shqiptare do të ishte pjesë e koalicionit zgjedhore”,
tha Rushiti.
XS
SM
MD
LG