Ndërlidhjet

Me strategji për njohje


Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, Prishtinë, 13 prill 2011.

Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, Prishtinë, 13 prill 2011.

Unifikimi i veprimeve diplomatike në funksion të njohjeve të reja ishte tema qendrore e një takimi të zhvilluar sot ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe ministrit të Jashtëm, Enver Hoxhaj. Me këtë rast, Hoxhaj i dorëzoi presidentes dhe strategjinë lobuese për njohjet e reja të shtetit të Kosovës.


Politika e jashtme e Kosovës do të jetë më e fuqishme dhe më dinamike, deklaroi sot presidentja Atifete Jahjaga. Këto komente, ajo i bëri pas një takimi që zhvilloi me ministrin e Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, i cili i dorëzoi presidentes strategjinë për lobim dhe njohje të reja.

Presidentja Jahjaga tha se shteti i Kosovës ka prodhuar tashmë paqe e stabilitet në rajon. Ajo tha po ashtu se qëllimet e Kosovës janë integrimi në Bashkimin Evropian dhe në NATO, duke pretenduar që me rritjen e numrit të njohjeve, Kosova do të anëtarësohet edhe në OKB dhe organizata e mekanizma të tjerë ndërkombëtarë.

Unë si bartëse e politikës së jashtme do të jem e vendosur që politika e jashtme e Republikës së Kosovës të jetë më e fuqishme, më dinamike dhe më energjike. Ky dokument, në koordinim me Ministrinë e Punëve të Jashtme, do të na ndihmojë shumë, sidomos tani në kohën dhe situatën sfiduese, në të cilën gjendemi”, tha Jahjaga.

Ministri i Jashtëm, Enver Hoxhaj, tha se strategjia për njohjet është shkruar javët e fundit. Kjo strategji, ai tha se është e ndarë në tri pjesë, ku, mes tjerash, parashihen veprime konkrete për të riafirmuar procesin e njohjeve.

Është një plan konkret i veprimit, i cili parasheh vizita të shumë zyrtarëve të Republikës së Kosovës, zonjës presidente, kryeministrit, të kryetarit të Kuvendit, deputetëve, partive në opozitë, të njerëzve të shoqërisë civile dhe pjesëmarrjen e tyre në forume dhe konferenca ndërkombëtare, me qëllim që Republika e Kosovës të ketë sa më shumë njohje”, theksoi Hoxhaj.

Çështja e njohjeve përbën një nga angazhimet me prioritet për politikën e jashtme të Kosovës. Presidenti, sipas Kushtetutës, është bartësi i politikës së jashtme. Së fundmi, kryeministri Hashim Thaçi ka angazhuar edhe zëvendëskryeministrin e parë, Behxhet Pacolli, pikërisht në lobim për njohje të reja.

Ndërsa shtimi i numrit të njohjeve shihet si domosdoshmëri për anëtarësim në OKB dhe mekanizma të tjerë ndërkombëtarë, një preokupim të veçantë për Kosovën përbën fakti tjetër - pesë vende anëtare të BE-së ende nuk e kanë njohur atë si shtet.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG