Ndërlidhjet

BE: Dialogu heq pengesat për integrim


Fotografi ilustruese
Fotografi ilustruese
Bashkimi Evropian thotë se dialogu ndihmon për largimin e pengesave në rrugën e Serbisë dhe Kosovës drejt integrimit në union. Një ditë më parë, ambasadori francez në Kosovë tha se dialogu dhe integrimi s’kanë lidhje me njëri-tjetrin. Ndërkohë, analistët shohin lidhje të qartë mes këtyre dy proceseve, por sugjerojnë që Serbia të mos hyjë para Kosovës në BE, sepse kjo, sipas tyre, do të përcillej me pasoja të rënda.


Bashkimi Evropian këmbëngul se pa përmbushjen e kritereve, asnjë vend i rajonit nuk mund të hyjë në union. Por, në rastin e Kosovës dhe të Serbisë, thotë se dialogu që është duke u zhvilluar tash, mund të ndihmojë në largimin e disa pengesave, që dy palët kanë, në rrugën e tyre kah BE-ja.

“Duke marrë parasysh të kaluarën, me të cilën të dy palët duhet të merren, ne e shohim dialogun si mundësi për t’i hequr pengesat në rrugën drejt BE-së dhe si një rrugë të zgjidhjes së shumë çështjeve të hapura, të cilat të dy palët duhet t’i zgjidhin në mënyrë që të ketë përparim në rrugën e tyre drejt integrimit”.

“Një nga kriteret është bashkëpunimi rajonal. Në këtë kuptim, mendoj se dialogu qartazi ka për qëllim që të ndihmojë dhe t’i largojë pengesat, sfidat, me të cilat të dy palët duhet të merren, ndërsa bëjnë përparim drejt BE-së”
, thotë për Radion Evropa e Lirë, Maja Kocijançiq, zëdhënëse e kabinetit të kryediplomates evropiane, Ketrin Eshton.

Një ditë më parë, ambasadori francez në Kosovë, Zhan Fransua Fitou, tha se kosovarët gabojnë nëse mendojnë se dialogu me Serbinë do t’iu ndihmojë për integrim në BE.

Por, jo të gjithë mendojnë kështu. Analistja Verena Knaus thotë për Radion Evropa e Lirë se vetë ndërmjetësimi nga ana e BE-së, flet se këto dy procese janë të lidhura.

Verena Knaus

Dialogu, që nga fillimi ka qenë i dizajnuar që t’u ndihmojnë të dy shteteve për të avancuar në rrugën kah BE-ja. Të paktën kështu është formuluar edhe në rezolutën e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së. Ky është i vetmi legjitimitet dhe arsyeja pse BE-ja është bërë ndërmjetësuese, sepse fakti se BE-ja, si institucion, nuk ka një qëndrim unik ndaj Kosovës, e bën situatën shumë të vështirë. Por, qëllimi i vetëm për anëtarësim, e justifikon BE-në që të veprojë si ndërmjetësues, sepse i ofron edhe Kosovës edhe Serbisë diçka që të dy shtetet aspirojnë”, vlerëson Knaus.

Para nisjes së dialogut, për ta joshur që të hyjë në bisedime, thuhej se Serbisë i ishte ofruar statusi i kandidatit.

Kosova, ndërkaq, nuk kishte marrë ndonjë premtim, ndërkohë që integrimi i saj në BE vazhdon të mbetet vetëm në letër, meqë ende nuk ka as raporte kontraktuale me unionin, e as nuk ka nisur dialogun për këtë çështje.

Verena Knaus thotë se Bashkimi Evropian assesi nuk guxon të lejojë që distanca e përafrimit drejt BE-së të rritet mes dy vendeve.

“Mendoj se nuk mund të ketë një proces ku Serbia trajtohet si vend me perspektivë evropiane dhe, në anën tjetër, Kosova trajtohet kështu vetëm në letër dhe jo në realitet. Do të ishte katastrofë, edhe po qe se vetëm imagjinoj, nëse Serbia i bashkohet BE-së për 10 vjet, Kosova mbetet ku është tani, ndërsa Serbia mund ta ushtrojë veton”.

“Do të ishte katastrofë për rajonin dhe BE-në. Por, mendoj se BE-ja e ka marrë mësimin nga Qiproja dhe nuk do të shkojë deri tek ajo pikë. Nuk do ta lë Serbinë t’i bashkohet BE-së pa u zgjidhur problemet me Kosovën”
, thekson Knaus.

Por, analisti kosovar, Shenoll Muharremi, druan se dialogu i nisur nuk do të paraqesë pasqyrën e qartë të asaj çka ndodh në raportet Kosovë-Serbi.

Shenoll Muharremi

“Është një situatë tepër sureale. Serbia i përkrah strukturat e veta të sigurisë dhe administrative. I kërcënon njerëzit që bashkëpunojnë me institucione të Kosovës, e në anën tjetër, shkon në Bruksel dhe shitet si një vend që është konstruktiv për bashkëpunim rajonal. Është e pamundur, që Kosova po e lejon Serbinë që të manipulojë së pari Kosovën, e edhe krejt vendet e BE-së, kinse është një partner racional dhe pozitiv në rajon”, shprehet Muharremi.

Shoqëria civile ka hartuar një platformë, e cila parasheh normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi përmes dialogut, por duke bërë presion te BE-ja që t’i ofrojë gjëra konkrete edhe Kosovës.

Përveç problemeve me Serbinë, Kosova vazhdon të sfidohet në rrugën e saj drejt BE-së, për shkak se pesë vende anëtare të BE-së vazhdojnë të mos e njohin shtetin e ri.

Rrjedhimisht, Kosova ende nuk mund të ketë marrëdhënie kontraktuale me BE-në, siç kanë vendet e rajonit.

Lexoni edhe këto:
Dialogu (s')ka lidhje me integrimin
Politika e jashtme, e ndarë në 6 shtylla
XS
SM
MD
LG