Ndërlidhjet

logo-print

SHBA: Basketbollisti Brajant dënohet me 100 mijë dollarë


Asociacioni Kombëtar i Basketbollit (NBA) në Shtetet e Bashkuara, e ka dënuar superyllin, Kobe Brajant, me 100 mijë dollarë për një fyerje homoseksuale ndaj referit gjatë një ndeshjeje.

Nëpërmjet një kumtese, komisionari i NBA ligës, Dejvid Shtern, tha se komentet e lojtarit të ekipit Los Angeles Lakers, ishin “fyese dhe të pafalshme” dhe se ato nuk janë të pranueshme në ligë dhe në shoqëri.

Grupet për të drejtat e homoseksualëve e kanë mirëpritur dënimin kundër basketbollistit Brajant, por po kërkojnë që ai dhe klubi i tij të kërkojnë falje publike për fyerje.

Kobe Brajant, nëpërmjet një deklarate, tha se ai i bëri këto komente për shkak se ishte i “frustruar”, pasi gjyqtari i kishte dhënë atij një gabim teknik dhe se fjalët e tij nuk reflektojnë ndjenjat e tij ndaj komuniteteve homseksuale dhe lesbiane dhe nuk kishin për qëllim ofendimin e ndokujt.

Kobe Brajant, 32 vjeçar, është njëri nga basketbollistët më të njohur në botë. Me ekipin e tij L.A. Lakers, pesë herë e ka fituar titullin e kampionit në ligën NBA, ndërsa në vitin 2008 i priu seleksionit të Shteteve të Bashkuara, që e fitoi medaljen e artë në Olimpiadë.
XS
SM
MD
LG