Ndërlidhjet

logo-print

Kili thotë se Klaus e mori stilolapsin unikal



Pamjet televizive ku shihet presidenti i Çekisë Vaclav Klaus gjatë vizitës shtetërore në Kili duke "vjedhur" një stilolaps, kanë rezultuar me aksionin "T'i dërgojmë presidentit tonë stilolapse që të mos detyrohet të vjedhë".

Në Kili janë shprehur të fyer për shkak se Klaus ishte arsyetuar duke thënë se e mori një stilolaps të thjeshtë, i cili edhe ashtu ishte dedikuar si dhuratë.

"Stilolapsi protokollar ishte vepër unikale nga punëtoria e mjeshtrëve kilianë. Stilolapsi i gravuar ishte punuar nga guri gjysmë i çmuar lapis lazuli", ka thënë për të përditshmen çeke "Pravo" Paola Elbjet, nga zyra e presidentit kilian.

Pyetjen e gazetarit se çfarë bëhet me ato stilolapsa pas nënshkrimit të marrëveshjeve, dhe a thua ato jepen si dhurata, zëdhënësja e presidentit kilian e ka injoruar me heshtje të gjatë.

Më shumë se 1.5 milionë njerëz e kanë parë videon në faqen YouTube, në të cilën shihet presidenti çek në konferencën për shtyp me presidentin Sebastian Piniera, se si e hap kutinë, e merr stilolapsin, i vë duart nën tavolinë dhe pastaj stilolapsi përfundon në xhepin e tij.

Zëdhënësi i Klausit, Radim Ohvat, ka reaguar menjëherë duke sqaruar se stilolapsi edhe ashtu do t'i jepej Klausit si dhuratë.

Pas kthimit në Pragë, kur gazetarët çekë e pyetën Klausin për "videon kleptomane", ai u përgjigj se ishte vetëm një stilolaps i thjeshtë.
XS
SM
MD
LG