Ndërlidhjet

logo-print

Liderët botërorë i bëjnë thirrje Gadafit të largohet

  • RFE /RL

Takimi në Doha të Katarit

Takimi në Doha të Katarit

Në Katar, udhëheqës ndërkombëtarë kanë përfunduar një takim për të ardhmen e Libisë, i cili ka rezultuar me thirrjen drejtuar Muamer Gadafit që të heqë dorë nga pushteti dhe t’i lejojë libianët të vendosin për të ardhmen e tyre. Këta udhëheqës kanë deklaruar se regjimi i Gadafit “ka humbur çdo legjitimitet”.


Në takimin e tij, Grupi i Kontaktit, i përbërë nga 16 shtete të Lindjes së Mesme, Evropës, Kombeve të Bashkuara, Unionit Afrikan dhe Ligës Arabe - grup ky i krijuar gjatë një konference të mëparshme në Londër - ka lëshuar një deklaratë të fuqishme që i bën thirrje Gadafit të largohet, ndërsa trupat e tij t’i ndalojnë menjëherë sulmet kundër civilëve.

Pjesëmarrësit thanë gjithashtu se ata do të punojnë që të krijojnë një mekanizëm financiar, që t’i ndihmojë rebelët, të cilët po luftojnë për t’i dhënë fund regjimit 41-vjeçar të Gadafit.

Ata gjithashtu bënë thirrje për një zgjidhje politike, e cila do të duhej të vendosej nga populli i Libisë.

Kryengritësit rebelë
Marrëveshja, megjithatë, nuk duket se do të arrihet aq lehtë në mes të vendeve anëtare të NATO-s për mënyrën se si të largohet Gadafi prej pushtetit. Mosmarrëveshjet janë shpërfaqur pas thirrjeve të Britanisë dhe Francës për pjesëmarrje më të madhe të NATO-s në fushatën ajrore kundër artilerisë së rëndë të Gadafit dhe armatosje të rebelëve.

Në Paris dhe Londër, zhgënjimi është çdo herë e më i madh për atë se fushata ajrore jo vetëm që nuk e ka balancuar luftën në favor të rebelëve, por as nuk i ka dhënë fund granatimit shkatërrues të qytetit Misrata, që udhëhiqet nga rebelët dhe që mbahet i rrethuar.

Britania dhe Franca realizojnë shumicën e sulmeve ajrore kundër trupave të Gadafit që prej kohës kur presidenti i SHBA-ve, Barak Obama, ka urdhëruar forcat amerikane që të tërhiqen dhe të qëndrojnë në pozitë përkrahëse.

Shtete të tjera anëtare të NATO-s ose po qëndrojnë në distancë sa i përket fushatës apo thjesht po ruajnë vetëm zonën e ndalim fluturimit.

Të martën, ministri i Jashtëm i Francës, Alen Zhype, ka kritikuar NATO-n që nuk e ka ndaluar bombardimin e qytezës Misrata, ku qindra civilë thuhet të kenë vdekur gjatë më shumë se gjashtë javëve të rrethimit.

Ndërkaq, televizioni libian ka raportuar se aeroplanët e NATO-s e kanë bombarduar rrugën kryesore të Misratës, ku ka pasur edhe viktima, por nuk ka dhënë detaje.

Sekretari për Punë të Jashtme i Britanisë, Villiam Hejg, ka bërë thirrje që më shumë vende anëtare të NATO-s t’iu bashkohen sulmeve në caqet tokësore, duke thënë se për disa shtete të Evropës dhe vende arabe, që janë pjesë e koalicionit, “ekziston mundësia që avionë të tyre të lëvizin nga mbrojtja ajrore në sulme tokësore.”

Hejg gjithashtu ka thënë se Britania po i ndihmon opozitës edhe në forma të tjera.

“Mbretëria e Bashkuar i ofron përkrahje, përkrahje materiale opozitës në Libi. Në rastin tonë, ne ofrojmë pajisje jovdekjeprurëse, ku përfshihen pajisje telekomunikimi. Ne tashmë i kemi dërguar ato pajisje dhe do të ketë edhe pajisje të tjera jovdekjeprurëse që do t’i dërgojmë”, ka thënë Hejg.

Rebelët që kanë marrë pjesë në takimin e mbajtur në Doha, kanë deklaruar se ata kanë pritur më shumë përkrahje, duke thënë se NATO-ja po e përdor “minimumin” e fuqisë dhe se ka nevojë që t’i rrisë sulmet kundër artilerisë së rëndë të Gadafit.

Një boshllëk, megjithatë, u paraqit gjatë takimit, në mes të skifterëve dhe pëllumbave të NATO-s.

Ministri i Jashtëm i Belgjikës, Stiven Vaneker, ka thënë se rezoluta e OKB-së, e miratuar më 17 mars, ku autorizohet NATO-ja për aksion në Libi që të mbrohen civilët nga forcat e Qeverisë së Gadafit, e përjashton armatosjen e civilëve. Ai ka thënë se nuk e sheh të nevojshme që t’iu jepet shtytje sulmeve ajrore në Libi.

Avion belg Air Force F16 gjatë operacionit në Libi.
Ministri italian, Franko Fratini, i ka kërkuar NATO-s që të bëjë më shumë për t’i ndihmuar civilët që të mbrojnë veten.

“Përderisa taktika e Gadafit është që t’i sulmojë civilët, ne duhet t’i përkrahim civilët. Mirëpo, për shkak se nuk do t’i kthejmë sulmet ajrore në sulme tokësore, sulme nëpër rrugë, nëpër qytete apo zona të banuara, ose duhet që t’iu mundësojmë këtyre njerëzve që të mbrojnë vetveten ose duhet të tërhiqemi nga obligimi ynë që të ndihmojmë popullatën e Libisë”, ka thënë Fratini.

Mosmarrëveshje tjera kishte kur ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Guido Vestervelle, ka shprehur rezervat e tij për thirrjen që bëri Italia për krijimin e një fondi prej aseteve të ngrira që të ndihmohen rebelët, të cilët kanë thënë se do të kërkojnë 1.5 miliard dollarë që të ndihmohen civilët.

Sipas ministrit gjerman, shtrohet pyetja nëse është legale një gjë e tillë? Përgjigjja, gjithmonë sipas Vestervelles, është se ata nuk e dinë këtë gjë.

Një zëdhënës i Këshillit Kombëtar të Rebelëve, gjatë takimit të mbajtur në Doha të Katarit, ka thënë se koalicioni po e konsideron dërgimin e armëve që, sipas këtij zëdhënësi, duhet të shkojnë për ushtarët që kanë dezertuar nga ushtria e Gadafit. Zëdhënësi i rebelëve ka thënë se ata kanë vetëm “armë primitive” që janë marrë nga trupat qeveritare. (a.h.)
XS
SM
MD
LG