Ndërlidhjet

Shpërndarja e Kuvendit dhe shkuarja në zgjedhje të parakohshme nga partitë shihet si mënyra e vetme për dalje nga kriza e thellë politike, në të cilën ndodhet Maqedonia.

Por, fajin për këtë gjendje, në të cilën ndodhet vendi, partitë ia hedhin njëra - tjetrës.

Opozita fajëson pushtetin për politikë katastrofale me pasoja në të gjitha sferat e jetës, andaj, sipas saj, zgjidhja e vetme mbetet largimi nga pushteti i, siç thonë, garniturës qeverisëse më të paaftë dhe më antishqiptare deri më tani.

“Kjo shumicë parlamentare miratoi tre buxhete ekskluzivisht antishqiptare, diskriminuese për shqiptarët, u derdhën miliona euro për projekte njënacionale, njëfetare, kurse për shqiptarët në kulturë, arsim, shkencë, infrastrukturë, shëndetësi e kështu me radhë, u ndanë më pak se dy për qind”.

“Me këtë vuloset diskriminimi i shqiptarëve nga kjo shumicë parlamentare. Por, për fat të mirë, gjithë kësaj i erdhi sot fundi, me aktin e shpërndarjes së këtij Kuvendi”
, thotë koordinatori i Grupit Parlamentar të PDSH-së, Imer Aliu, duke kërkuar nga shumica që të garantojë zgjedhje të lira dhe demokratike.

Por, nga Bashkimi Demokratik për Integrim hodhën poshtë pretendimet e PDSH-së, duke e akuzuar për joseriozitet dhe nxitje të tensioneve të veprimit të saj politik, qoftë në pushtet apo opozitë.
Ermira Mehmeti

“Ata janë nacionalistë sa herë që janë në opozitë, por janë ekstremisht lojalist dhe të heshtur sa herë që janë në pozitë. Më lejoni vetëm të konstatoj, PDSH-ja e braktisi Kuvendin me tri kërkesa; marrëveshje të re politike, interpretim të ligjit për amnisti dhe ligj të ri për përdorimin zyrtar të gjuhës shqipe, por u kthye pa asnjërën prej kërkesave të tilla”
, shprehet Ermira Mehmeti nga BDI-ja.

Partia më e madhe e opozitës, Lidhja Social-demokrate, e cila është bartëse e kërkesës për zgjedhje, ashtu edhe siç kishte paralajmëruar, nuk mori pjesë në aktin e shpërndarjes së Kuvendit.

Lidhja Social-demokrate paraprakisht kishte hequr dorë nga të gjitha kërkesat, duke i lënë në dorë pushtetit “të bëjë si të dojë dhe çfarë të dojë, por një ditë e më parë t’i shpallë zgjedhjet”.

Ndërkohë, veprimi i saj kritikohet nga kryetari i Kuvendit, Trajko Veljnaovski, duke e fajësuar për gjendjen e krijuar politike.

“Politika e përjashtimit dhe e kushtëzimit, përfundimisht është politikë e paaftësisë dhe ajo nuk mund që të mos ndëshkohet në këto zgjedhje parlamentare, pasi qytetarët kërkojnë nga ne zgjidhjen e problemeve, e jo bojkote e kushtëzime për plotësimin e interesave të individëve të caktuar për të mbetur në pushtet”,
deklaron Veljanovski.

Kryeparlamentari Veljanovski numëron edhe sukseset, që, sipas tij, ka arritur kjo shumicë parlamentare gjatë tre vjetëve të kaluara.

Ndërkohë, kritika në adresë të pushtetit drejton edhe Demokracia e Re e opozitës, e cila zgjedhjet i sheh si mundësi për dalje nga kriza e krijuar.

“Tani pushteti i tërësishëm, absolut, është i qytetarëve, pra i votuesve, të cilët me votën e tyre do të zgjedhin mes këtij pushteti që e kemi parë gjatë këtyre tre vjetëve, pra pa perspektivë, pushtet i izolimit, apo të vendosin për forcat progresive, pro-evropiane, që do ta integrojnë Maqedoninë në NATO dhe në Bashkimin Evropian dhe që do t'i mbyllin të gjitha çështjet që kanë mbetur të hapura gjatë këtyre viteve”
, thotë Arjanit Hoxha nga Demokracia e Re.

Ndryshe, kryetari i Kuvendit, Trajko Veljanovski, gjatë ditës së premte do të zyrtarizojë edhe datën e mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, më 5 qershor.
XS
SM
MD
LG