Ndërlidhjet

logo-print

Humbja nga mungesa e preferencave tregtare


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Mosvazhdimi i preferencave autonome tregtare me BE-në ka sjellë pasoja negative për ekonominë e përgjithshme të Kosovës, thonë përfaqësues të Odës Ekonomike të Kosovës. Në bazë të një hulumtimi të bërë me kompanitë që eksportojnë në tregun e Bashkimit Evropian, thuhet se ka pasur rënie të eksportit deri në 63 për qind.


Oda Ekonomike e Kosovës ka bërë një hulumtim për dëmet aktuale dhe potenciale nga mosvazhdimi i preferencave tregtare.

Në bazë të këtij hulumtimi, përveç efekteve negative që janë shkaktuar në eksport, përfaqësues të OEK-ut thonë se ndikim të madh ka pasur edhe në efektin e punësimit, në pozitën konkurruese, si dhe në humbjen e partnerëve.

Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gëxhaliu, thotë se mosvazhdimi i preferencave autonome tregtare me BE-në po rrezikon disa biznese të mbyllen tërësisht, ngase disa kompani si treg të vetëm kanë atë të Bashkimit Evropian.

“Sa herë që kemi biseduar në konferencat e ndryshme për investitorët, ju kemi thënë urdhëroni investoni në Kosovë, sepse është koha për të investuar se i kemi preferencat tregtare dhe tani ajo pikë më nuk ekziston. Për fat të keq, problemet politike janë ato që dominojnë në skenën kosovare. Mu nga ky dominim i problemeve politike, anashkalohen problemet ekonomike edhe në spektrin ndërkombëtar dhe si duke ky problem nuk do të zgjidhet aq lehtë dhe aq shpejt siç është paralajmëruar”
, thotë Gërxhaliu.

Që nga fillimi i këtij viti Kosova nuk i gëzon preferencat tregtare, të cilat i vendos Bashkimi Evropian për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Produktet kosovare nuk mund të eksportohen në vendet e Bashkimit Evropian pa iu nënshtruar tarifave doganore apo kufizimeve për sasitë.

Sipas Gërxhaliut, Kosova i ka humbur këto preferenca ndërkombëtare për shkak të neglizhencës treguar karshi detyrave që ka.

“E veçanta e kësaj është se Komisioni Evropian iu është drejtuar me shkrim në shtator-tetor të vitit 2010 Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, që ta bëjë një analizë se sa është aspekti kuantitativ i pranisë së produkteve kosovare në tregun evropian. Për fat të keq, një përgjigje e tillë nuk ka ardhur nga MTI-ja dhe për këtë arsye ka ardhur deri te pezullimi i pranisë së produkteve kosovare në tregun evropian
”, shpjegon Gërxhaliu.

Komisioni Evropian i kishte vendosur preferencat autonome tregtare për të gjitha vendet që janë pretendente për t’u futur në bllokun 27-anëtarësh, në mënyrë që të mbështesin integrimin ekonomik me BE-në, të forcojnë stabilitetin politik dhe përparimin ekonomik në mbarë rajonin.

Ndërkohë, Oda Ekonomike e Kosovës gjatë prezantimit të hulumtimit për pasojat nga mosvazhdimi i preferencave tregtare, adreson një varg akuzash edhe për zhvillimet tjera ekonomike në vend, me theks të veçantë te ngritja e pagave.

Sekretari i Odës Ekonomike, Berat Rukiqi, thotë se sipas praktikave më të mira ndërkombëtare, paga minimale duhet t’i përmbushë disa kritere.

“Paga minimale nuk mund të jetë vetëm për luftimin e varfërisë, por duhet të mundësojë që çdo punëtori dhe familjes së tij t’i sigurohet ekzistencë. Paga minimale duhet të reflektojë gjendjen e përgjithshme të pagave në vend, duke u bazuar në statistikat e pagave aktuale sipas gjinisë, sektorit dhe aktivitetit ekonomik”,
vlerëson Rukiqi.

Ndërkohë, Oda Ekonomike e Kosovës i rekomandon Qeverisë që të jetë proaktive në zgjidhjen e problemeve ekonomike që ka vendi.

Po ashtu, ata thonë që të rriten kapacitetet dhe angazhimet për të qenë të gatshëm për fillimin e negocimit të marrëveshjes tregtare me Bashkimin Evropian.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG