Ndërlidhjet

Marrëveshja e “treshes” pret zbatimin


Nga takimi Thaçi, Mustafa, Pacolli. Prishtinë, 6 prill 2011.

Nga takimi Thaçi, Mustafa, Pacolli. Prishtinë, 6 prill 2011.

Me marrëveshjen e javës së kaluar ndërmjet Hashim Thaçit, Isa Mustafës dhe Behxhet Pacollit, nën ndërmjetësimin e ambasadorit, Kristofer Dell, përveç se u tejkalua nyja e zgjedhjes së presidentit, parashihet që të formohen edhe dy komisione, një për propozimin e ndryshimeve kushtetuese dhe tjetri për reformat zgjedhore.


Kuvendi i Kosovës ende nuk i ka iniciuar procedurat për formimin e komisioneve që do të ngarkohen me përgatitjen e propozimeve për ndryshime kushtetuese dhe reforma zgjedhore.

Këto dy komisione pritet të formohen konform marrëveshjes së arritur ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe Behxhet Pacollit, nën ndërmjetësimin e ambasadorit amerikan, Kristofer Dell, dhe rezolutës së aprovuar më pas nga Kuvendi.

Kryetari i Komisionit për Legjislacion, deputeti i LDK-së, Arben Gashi, tha se ende nuk është përcaktuar mënyra se si do t’iu qasen institucionet këtyre reformave.

Por, sipas tij, është e mundur që të formohen komisione “ad hok” që do të punojnë në këto reforma dhe ndryshime, të cilat në fund duhet të aprovohen nga Kuvendi.

Nuk ka një qëndrim zyrtar. Kryesia e Kuvendit duhet që, në bashkëpunim me grupet parlamentare, të vendosë dhe më pas ta dërgojë në rend të ditës në Parlament, ku mbetet të aprovohen komisionet ose që t’i jepen detyra shtesë Komisionit për Legjislacione dhe komisioneve tjera adekuate”, tha Gashi.

Eksperti i çështjeve kushtetuese juridike, Arsim Bajrami, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës, tha se nisja e ndryshimeve kushtetuese dhe reformave zgjedhore duhet të iniciohet nga presidenti, një e katërta e Parlamentit apo Qeveria.

Kuvendi i Kosovës
Varësisht se kush nga këto tri instanca inicion ndryshimet, ka të drejtë të propozojë edhe formimin e komisioneve, tha Bajrami.

Ai rikujtoi se ndryshimi i Kushtetutës nuk do të mund të përkufizohet vetëm në zgjedhjen e presidentit, por edhe në kompetencat e tij. Edhe shtimi i zonave zgjedhore do të sjellë nevojën e ndryshimeve në Kushtetutë, shtoi ai.

Ndryshimet kushtetuese nuk prekin vetëm një nen të Kushtetutës, por një materie më të gjerë të Kushtetutës, sepse ndërrimi i mënyrës së zgjedhjes së presidentit implikon pozitë më të fuqishme të presidentit dhe kërkon ndryshime në disa nene të Kushtetutës dhe të paktën në dy ligje të miratuara tashmë”.

“Te legjislacioni zgjedhor, natyrisht që edhe këto ndryshime kushtëzohen me ndryshimin e Kushtetutës, sepse Kushtetuta e ka përcaktuar Kosovën si njësi të vetme zgjedhore. Andaj, çfarëdo mundësie për aplikimin e më shumë zonave do të kërkojë së pari ndryshimin e Kushtetutës”,
theksoi Bajrami.

Marrëveshja Thaçi, Mustafa, Pacolli është kundërshtuar nga Lëvizja Vetëvendosje.

Nënkryetari i Kuvendit nga radhët e Vetëvendosjes, Glauk Konjufca, tha se të gjitha grupet parlamentare qysh moti janë pajtuar në parim se duhet të ketë reforma zgjedhore.

Por, këto reforma, sipas tij, nuk ka nevojë të iniciohen me marrëveshje politike jashtë institucioneve, porse duhet të kalojnë përmes komisioneve gjegjëse parlamentare, duke përfshirë më pas edhe shoqërinë civile.

Lëvizja Vetëvendosje mendon se gjithçka që do të shkojë në këtë drejtim, duhet të shkojë brenda trupave ekzistuese ku janë kompetencat e sqaruara, siç është Komisioni për Legjislacion, i cili mund të krijojë më pas një trup që merret me Ligjin për zgjedhjet”, deklaroi Konjufca.

Sa u përket ndryshimeve kushtetuese, Konjufca tha se nuk është i mjaftueshëm vetëm ndryshimi i nenit për presidentin. Ai ripërsëriti qëndrimin e Vetëvendosjes se Kushtetuta duhet të pësojë ndryshime rrënjësore duke u shmangur nga baza e saj - Pakoja e Ahtisarit.

Përveç ndryshimeve kushtetuese dhe reformave zgjedhore, “treshja” ishte pajtuar edhe në lidhje me afatet zgjedhore, duke parashikuar zgjedhjet për presidentin diku pas një viti e gjysmë dhe zgjedhjet parlamentare pas afërsisht dy vjetësh e gjysmë, apo në kohën kur pritet të mbahen edhe zgjedhjet lokale.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG