Ndërlidhjet

WP: Obama zbulon vetveten


Presidenti Barak Obama
Presidenti Barak Obama
"Washington Post"

Presidenti Obama mbajti një nga fjalimet më të rëndësishme të presidencës së tij të mërkurën e 13 prillit.

Ishte një mbrojtje e bukur e qasjes që ai ka ndaj qeverisjes dhe në veçanti e përballjes me problemin e vjetër të deficitit buxhetor. Ata që ishin në kërkim të vlerave thelbësore të Obamës, mund ta nisin fare mirë me këtë fjalim.

Nuk mund të mos thuhet se pavarësisht se ishte fjalim i rëndësishëm, ai nuk arriti të adresojë një aspekt të rëndësishëm të problemit.

Obama nxori në sipërfaqe faktin se është i majtë i qendrës, por duke anuar më shumë nga qendra. Për fillim ai e pranoi se deficiti është sfida më e madhe e Amerikës, ndaj propozoi një numër masash për ta shkurtuar atë.

Shkurtimet masive në të gjitha programet qeveritare ishin në thelb të propozimit. Por, Obama nuk mbeti me kaq. Nëse masat e tij nuk arrijnë rezultatet e synuara, atëherë Kongresi është i detyruar të veprojë përmes shkurtimeve të mëtejshme apo rritjes së taksave.

Ky është dhe elementi më i rëndësishëm i propozimit të Obamës. Sipas të gjitha gjasave, propozimet e tij nuk do të jenë në gjendje t’i përmbushin objektivat e në këto kushte Kongresi duhet të veprojë.

Obama paraqiti një vizion të një qeverie aktiviste, që do të bëjë investime të rëndësishme në arsim, infrastrukturë dhe në fushën e kërkimeve shkencore.

Ai theksoi se investimet në këto fusha janë pjesë e historisë amerikane po aq sa edhe tregu i lirë. Obama nuk harroi të theksojë se vendet e tjera po investojnë shumë në këto fusha. Vetëm Kina nga viti 1998 ka trefishuar përqindjen e buxhetit për arsimin.

Qëndrimi i presidentit sa u përket politikave fiskale ishte korrekt. Nga ana tjetër kemi dhe programet e ndihmës, për të cilat Obama ishte shumë i artikuluar, por më së paku pragmatik.
Ai mbrojti me pasion rrjetin social që duhet të ekzistojë në mbështetje të të moshuarve dhe të varfërve. Por, ai nuk pati kurajë për të propozuar reforma të prekshme në këtë fushë.

Në kuadër të këtij debati duhet vlerësuar propozimi i guximshëm i buxhetit, i bërë nga republikani Pol Rajën. Më e rëndësishme në situatën e krijuar është fakti se pas shumë vitesh problematike kemi nisur një debat kombëtar për të ardhmen e Amerikës. (i.b.)
XS
SM
MD
LG