Ndërlidhjet

Qasjet (jo)konstruktive


Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë...
Ura mbi lumin Ibër në Mitrovicë...
Autoritetet kosovare thonë se qasja e Beogradit zyrtar ndaj veriut të Kosovës vazhdon të jetë pengesa më e madhe për integrimin e kësaj pjesë në jetën institucionale të vendit. Në Zyrën Civile Ndërkombëtare, ndërkaq, kërkohet një qasje më pozitive e të gjitha palëve në mënyrë që të arrihet më shumë progres në veri të Mitrovicës.


Telashet e institucioneve kosovare për ta përfshirë veriun e vendit në procesin e regjistrimit të popullsisë dhe ekonomive familjare, duket se kanë vënë në pah problemet ende ekzistuese të qasjes së Prishtinës karshi kësaj pjese të Kosovës.

Pavarësisht planeve të autoriteteve vendore e ndërkombëtare që përmes strategjive të ndryshme t’i integrojnë zonat në veri të Mitrovicës në jetën institucionale të vendit, serbët e veriut vazhdojnë të kundërshtojnë pjesëmarrjen në të gjitha proceset e iniciuara nga shteti i Kosovës.

Përfaqësues të Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë theksojnë rëndësinë që përmirësimi i jetës së qytetarëve të veriut të jetë pikënisje e veprimeve që ndërmerren në veri.

Zëdhënësi i këtij mekanizmi, Endi Mekgafi, pohon se situata aktuale në veri nuk është e pranueshme në periudhën afatgjate dhe se ka nevojë për më shumë progres.

“Mendoj se kjo është qasja, të cilën ICO-ja dëshiron ta shohë - që të gjithë ta trajtojnë veriun e Kosovës, duke i marrë parasysh dëshirat dhe interesat e njerëzve atje për të lëvizur përpara nga ajo pikë”
, shprehet Mekgafi.

Mekgafi thotë se në bashkëpunim me Qeverinë e Kosovës, është duke vazhduar puna e ekipit përgatitor për decentralizim lidhur me krijimin e komunës së re të Mitrovicës veriore.

Megjithatë, zbatimi i decentralizimit në zonat e tjera në veri si Zveçani, Zubin Potoku dhe Leposaviqi, thuhet se pamundësohet nga ndikimi ende i madh i Beogradit zyrtar mbi banorët serbë të asaj pjese.

Ish-ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal, Sadri Ferati, thekson rëndësinë për një qasje më konstruktive të Qeverisë së Kosovës karshi veriut.

Ferati thotë se Prishtinës zyrtare i mungojnë aktualisht kapacitetet e nevojshme për integrimin e veriut - kapacitete këto që, sipas tij, kërkojnë programe të veçanta të secilës ministri të ekzekutivit kosovar.

Ferati flet edhe për hapat që duhet të ndërmerren në veri:

Sadri Ferati
“Nevojitet një bashkëpunim me institucionet ndërkombëtare për rritjen e sundimit të ligjit; një fuqizim i projekteve që dalin nga ekipet përgatitore; implementimi i fondeve nëpërmjet USAID-it dhe të tjerëve që të mund të identifikohen projekte të rëndësishme për qytetarët në mënyrë që qytetari të shohë se Prishtina ka një përkushtim për përmirësimin e kualitetit të jetës; një prani më e madhe e institucioneve në veri dhe një kontakt më i fuqishëm me qytetarin drejtpërdrejt, në mënyrë që të zvogëlohen pasojat e propagandës 20-vjeçare që janë bërë në atë pjesë të Kosovës”.

Zyrtarët e Qeverisë së Kosovës vlerësojnë se pa një qasje konstruktive të shtetit serb ndaj veriut, nuk mund të kenë sukses as projektet e ndryshme shtetërore.

Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, shpjegon:

“Qasja e Prishtinës është shumë konstruktive - edhe për vendosjen e rendit dhe të ligjit, edhe për të krijuar një ambient më të mirë për jetën dhe perspektivën e qytetarëve. Këto të dyja shkojnë paralelisht - vendosja e rendit dhe ligjit, si dhe investimet ekonomike. Pengesë është vetëm Beogradi. Beogradi është adresë, e jo konstruktiviteti”.


Rexhepi thotë se shtrirja e sundimit të ligjit duhet t’u paraprijë të gjitha veprimeve të ardhshme të mekanizmave vendorë e ndërkombëtarë në veri, ndërsa shprehet pesimist për përkushtimin e misionit evropian EULEX për të arritur rezultate në këtë drejtim.

Ky mision, ndërkaq, ia ka caktuar vetes prioritet që të forcojë sundimin e ligjit në veri të Kosovës.

Lexoni edhe këto:

Mungesa e sundimit të ligjit në veri
Beteja me strukturat paralele
XS
SM
MD
LG