Ndërlidhjet

Traumat e luftës, të pranishme


Fushë Kosovë - arkiv
Fushë Kosovë - arkiv
Kanë kaluar 12 vjet që nga përfundimi i luftës në Kosovë, por pasojat e saj ndjehen ende. Sipas autoriteteve përgjegjëse, konflikti ka bërë që një numër i madh i popullatës të vuajë nga stresi post-traumatik.

Në Kosovë ekziston Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës. Rreth 200 persona në vit kërkojnë ndihmë për herë të parë në këtë qendër, thotë koordinatorja mjekësore, Sebahate Pacolli.

Sipas saj, shumica e njerëzve me strese post-traumatike janë nga zonat rurale, ku edhe në të shumtën e kohës është zhvilluar lufta.

“Ende kemi njerëz, të cilët kërkojnë trajtim për probleme personale – ata ose kanë qenë të torturuar, ose kanë qenë dëshmitarë të ndonjë ngjarjeje traumatike të familjarëve të tyre”.

Mbi 1,800 kosovarë ende rezultojnë të zhdukur...
“Pra, kanë qenë faktorë të ndryshëm që kanë mundur të shkaktojnë përvojën traumatike, pasojat e së cilës vazhdojnë ende t’i vuajnë. Ne ende vazhdojmë të kemi një numër të konsiderueshëm të klientëve, që kërkojnë shërbimet tona”,
thotë Pacolli.

Edhe në Qendrën Klinike Universitare në Prishtinë ka raste kur personat i nënshtrohen trajtimit, si pasojë e përjetimeve të ndryshme gjatë luftës, thotë Fahredin Drevinja, shef i Repartit të Psikiatrisë.

Ndonëse është zvogëluar numri i rasteve, thotë ai, ato shtohen gjatë muajve mars – qershor, periudhë kjo kur në Kosovë shënohen shumë ditë përkujtimore.

“Festat, kujtimet që ata i organizojnë, kanë ndikime psikologjike, shkaktojnë mërzitje, pikëllim... Do të thotë, personat e caktuar prapë përfitojnë ankth, përfitojnë kriza depresioni, përjetojnë probleme të ndryshme, dhembje të ndryshme”, shpjegon Drevinja.

Por, sa është e vështirë përballja me problemet e personave të traumatizuar gjatë luftës dhe cilat janë mënyrat për rehabilitimin e tyre?

Sebahete Pacolli thotë se përvoja traumatike lë gjurmë të thella në karakterin e çdo personi, kështu që trajtimi qind për qind i tyre, sipas saj, është pothuajse i pamundur.

“...megjithatë, synojmë që me trajtimin e ofruar, të ndihmojnë që sadopak të përmirësohet kualiteti i jetës dhe të përmirësohet funksionaliteti i personit në shoqëri, në familje dhe në ambientin ku ai jeton”, shton ajo.

Por, neuropsikiatri Nexhmedin Shala thotë se ecuria e daljes nga kjo gjendje, në shumicën e rasteve varet nga vetë individi dhe kushtet socio- ekonomike.

Ajo është shumë individuale, varet nga vetë personi, varet nga rrethanat shoqërore, nga mbështetja që u jepet atyre personave, por edhe nga gjendja e tyre ekonomike. Gjendja ekonomike ndikon shumë dukshëm, ndërsa mbështetja nga komuniteti është faktor shumë i rëndësishëm në rehabilitimin e tyre“, thekson Shala.

Sipas një hulumtimi të mëhershëm të organizatave joqeveritare, 53 për qind e popullatës ka vuajtur nga lloje të ndryshme të torturës. Por, tani nuk ekzistojnë të dhëna të reja që dëshmojnë se është ulur numri i personave të traumatizuar gjatë luftës.
XS
SM
MD
LG