Ndërlidhjet

Shtyhet regjistrimi


“Situata komplekse politike në veri ka pamundësuar që të depërtojmë atje”, thanë përfaqësues të mekanizmave përgjegjës për regjistrimin e popullsisë dhe të ekonomive familjare në Kosovë. Ata bënë të ditur se procesi i regjistrimit ka përfunduar në shumicën e komunave të Kosovës, porse është shtyrë deri të martën në disa komuna të caktuara, në mënyrë që procesi të jetë sa më gjithëpërfshirës.


Mekanizmat përgjegjës për regjistrimin e popullsisë dhe ekonomive familjare në Kosovë njoftuan se të premten ka përfunduar regjistrimi në shumicën e komunave të vendit.

Por, në mënyrë që procesi të jetë më gjithëpërfshirës, regjistrimi thuhet se është shtyrë deri të martën në komunën e Prishtinës, Graçanicës, Kllokotit, Ferizajt, në Partesh dhe në Deçan. Për një shtyrje të pacaktuar kohore është vendosur për veriun e Kosovës, ku gjatë 15 ditëve të kaluara nuk ka nisur fare procesi i regjistrimit.

Në një konferencë për media, ku u fol për ecurinë e regjistrimit të popullsisë, përfaqësuesi i Zyrës Ndërlidhëse të Komisionit Evropian, Kjartan Bjornson, tha se ambienti i komplikuar politik në veri u ka pamundësuar aktorëve të përfshirë në regjistrimin e popullsisë që të depërtojnë në atje.


Bjornson bëri të ditur se për ta kryer këtë proces edhe në veri, duhet të përmbushen disa kushte dhe të arrihet një marrëveshje me vendimmarrës të ndryshëm. Ai nuk saktësoi se për cilët vendimmarrës bëhet fjalë.

“Mendoj se jeni të vetëdijshëm se situata komplekse politike kërkon shumë vendimmarrës dhe nuk mund t’ju tregoj në këtë fazë se me kë po i vazhdojmë këto konsultime. Janë mjaft shumë njerëz, të cilët duhen konsultuar dhe do të konsultohen”,
u shpreh Bjornson, duke mos saktësuar kohën për nisjen eventuale të regjistrimit të popullsisë në zonat veriore të vendit, por duke shfaqur shpresën që ai të nisë sa më parë të jetë e mundur.

“Sa u përket përgatitjeve teknike, ne jemi të gatshëm. UNOPS-i ka bërë gjithçka që është e nevojshme dhe ne do të mund të ecnim shumë shpejt përpara, duke themeluar komisionet lokale të regjistrimit, sikurse që do të mund t’i rekrutonim regjistruesit, po qe se do të vinte drita jeshile për të vazhduar me këtë”, theksoi përfaqësuesi i Komisionit Evropian.

Drita jeshile për të marrë pjesë në këtë proces, megjithatë, nuk u është dhënë banorëve serbë të pjesës veriore të Kosovës nga ana e Beogradit zyrtar.

Qysh para nisjes së regjistrimit të popullsisë më 1 prill, ata u deklaruan kundër pjesëmarrjes në këtë proces, për shkak të, siç thuhej, mungesës së kushteve, rrezikut për manipulimin e të dhënave nga autoritetet kosovare dhe mungesës së vullnetit për të marrë pjesë në një proces të organizuar nga Prishtina zyrtare.

Mitrovicë

Serbët lokalë të veriut kanë thënë se do të merrnin pjesë në regjistrimin e popullsisë po qe se procesi do të zhvillohej nga misioni i Kombeve të Bashkuara në Kosovë.

Mirëpo, në radhët e mekanizmave përgjegjës që do ta kryenin regjistrimin e popullsisë dhe të ekonomive familjare në veri, sipas zyrtarëve kosovarë, aktualisht nuk figuron UNMIK-u. Kryesuesi i Komisionit Qendror të Regjistrimit, Rifat Blaku, shpjegoi:

“Atje është dhënë mundësia që kjo të shtyhet dhe të realizohet nga një organizatë që ka përvojë, e që është UNOPS-i, natyrisht me të gjithë aktorët pjesëmarrës, duke e përfshirë edhe Entin e Statistikave të Kosovës, edhe Zyrën e Bashkimit Evropian, edhe EUROSTAT-in, në mënyrë që të gjithë qytetarët të jenë përfitues dhe pjesëmarrës në këtë regjistrim”.

Në konferencë u bë gjithashtu e ditur se e ashtuquajtura anketë pas-regjistruese do të bëhet nga 16 deri më 22 prill. Rezultatet preliminare thuhet se do të dalin më së largu në fund të qershorit, ndërsa rezultatet finale pritet të publikohen diku në maj apo qershor të vitit 2012.

Për shkak të mungesës së një analize precize për të dhënat e mbledhura gjatë 15-ditëshit të fundit, pjesëmarrësit e konferencës hezituan të japin ndonjë shifër të përafërt lidhur me pjesëmarrjen e qytetarëve të Kosovës në regjistrim.

XS
SM
MD
LG