Ndërlidhjet

Sejmor: SHBA-të nuk e shohin Rusinë si armik

  • RFE /RL

Geri Sejmor

Geri Sejmor

Mund të jenë disa elemente në Rusi që Shtetet e Bashkuara i shohin si kërcënim ushtarak për Rusinë, por Amerika nuk e sheh Rusinë si armike, thotë Geri Sejmor, këshilltar i lartë i presidentit amerikan, Barak Obama, për çështjet e kontrollit të armatimit dhe të moszgjerimit.


Moska po e lavdëron frymën e re të bashkëpunimit ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, me ç’rast thuhet se shtetet po punojnë së bashku si partnerë e jo si armiq.

Por, njëra nga çështjet sfiduese ndërmjet Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, megjithatë, duket se është mbrojtja raketore dhe armatimi taktik bërthamor.

Çfarë lloj sfidash sheh Geri Sejmor në diskutimet për armatimin taktik?

“Mendoj se ekzistojnë sfida të mëdha, pasi ka pabarazi ndërmjet Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë, kur kemi të bëjmë me armatimin taktik atomik. Shtetet e Bashkuara e kanë një numër shumë të vogël, vetëm disa qindra armatime taktike bërthamore, dhe ne realisht nuk kemi mbështetje të madhe ushtarake në këtë armatim, derisa ekziston siguria evropiane”.

“Për dallim nga ne, rusët kanë numër më të madh, me gjasë disa mijëra armatime bërthamore, dhe thonë se ky armatim taktik atomik u duhet për t’iu kundërvënë superioritetit konvencional të NATO-s”.

“Pra, në shumë mënyra, të dyja palët kanë dallime të mëdha të pikëpamjes, në aspektin e numrave dhe misionit, dhe kjo do t’i komplikojë përpjekjet për të arritur marrëveshje të kontrollit të armamtimit, që e përfshin armatimin taktik bërthamor”,
thotë Geri Sejmor.

Sipas tij, prej Luftës së Ftohtë, rusët me siguri e kanë reduktuar në mënyrë të rëndësishme numrin e armatimit taktit atomik që e kanë. Ai konsideron se, edhe pse nuk është situatë e Luftës së Ftohtë, mund të ketë hapësirë së paku për transparencë më të madhe.

Rusia pretendon se këto tipe të armatimit janë në depo dhe se nuk ka mundësi për t’i kontrolluar ato. Por, a mund të thuhet se ky është një pretendim i njëanshëm?

Mendoj se hapi i parë është këmbimi i informacioneve. Ne do të jemi të përgatitur për të këmbyer informacione me Rusinë për numra, tipe dhe lokacionet e armatimit taktik të Shteteve të Bashkuara, nëse ato do të ishin të përgatitura që ta bëjnë të njëjtën gjë për armatimin bërthamor taktik të Rusisë”.

“Hapi i ardhshëm është monitorimi dhe verifikimi. Kjo do të kërkojë disa mjete shumë kreative, si teknike, po ashtu edhe në terren. Përfundimisht, mendoj se të dyja palët do të duhet të bisedojnë për atë nëse ka mënyrë për të lejuar qasje në kapacitetet depozituese, për të verifikuar se armatimi taktik atomik nuk po zhvendoset”.

“Por, kjo është një fushë për të cilën ne jemi të gatshëm ta fillojmë diskutimin me rusët, se çfarë lloj të qasjes dhe aranzhimeve verifikuese ne mund të përpilojmë, me qëllim të verifikimit të armatimit taktik atomik. Kjo nuk është bërë kurrë më parë, prandaj, me gjasë, do të marrë kohë për ta bërë këtë”,
thotë Geri Sejmor.

Radio Evropa e Lirë e ka pyetur zotin Sejmor se a mendon që diskutimi për mbrojtjen raketore është i mbështetur më tepër në emocione sesa në nacionalitet?

“E dini se ushtria ruse i mban mend ditët e Ronald Reganit dhe Luftën e Yjeve, kur ata ishin shumë të shqetësuar se Shtetet e Bashkuara po e ndërtonin një mbrojtje perfekte, që do t’i shfuqizonte kapacitetet strategjike ruse”.

“Mendoj se ende mund të jenë disa elemente në ushtrinë ruse, që i mbajnë mend ditët e Luftës së Ftohtë dhe Shtetet e Bashkuara i shohin si kërcënim parësor ushtarak për Rusinë. Rrjedhimisht, ata mbrojtjen raketore e shohin si kërcënim për kapacitetet ushtarake ruse. Por, nga pikëvështrimi amerikan, ne nuk e shohim Rusinë si armik”.

“Qëllimi i mbrojtjes raketore nuk është që të përdoret kundër forcave raketore ruse. Ne më tepër jemi të shqetësuar për Iranin. Kjo realisht është ajo se për çfarë po përpiqemi ta zhvillojmë mbrojtjen ajrore”, thotë Gari Sejmor, këshilltar i presidentit amerikan, Barak Obama, për çështje të kontrollit të armatimit dhe të moszgjerimit. (f.b.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG