Ndërlidhjet

logo-print

Raundi i tretë

  • RFE /RL

Kryenegociatorët në bisedime

Kryenegociatorët në bisedime

Në selinë e Këshillit të Bashkimit Evropian të premten pasdite u mbajt takimi i delegacionit të Prishtinës dhe Beogradit, në kuadër të dialogut që po lehtësohet nga Bashkimi Evropian.

Të dyja palët gjatë ditës kanë bërë të ditur se po bisedohet për disa çështje praktike, siç janë energjia elektrike, telekomunikacioni dhe lëvizja e lirë e qytetarëve.

Tash për tash nga Bashkimi Evropian nuk thonë ndonjë gjë konkrete lidhur me rezultatet e këtij takimi, por burime të BE-së pohojnë se janë, siç shprehen, optimistë të arsyeshëm.

Zyrtarë të BE-së kanë thënë se Bashkimi Evropian po i inkurajon palët që të pajtohen për sa më shumë gjëra që të jetë e mundur, mirëpo duke pasur parasysh se ato gjëra, për të cilat do të pajtohen, do të duhet edhe të zbatohen në terren, prandaj thonë se pajtimi nuk është edhe aq i lehtë.

Nga zyrtarë të Bashkimit Evropian edhe të premten është përsëritur se dialogu është në të mirë të të dyja palëve, e, para së gjithash, në të mirë të qytetarëve të Kosovës dhe përmirësimit të jetës së tyre të përgjithshme.

Por, në pyetjet konkrete se çfarë përfiton Kosova në rrugën drejt integrimeve evropiane nga ky dialog, zyrtarët e BE-së kanë mbetur pa ndonjë përgjigje konkrete.

Edhe gjatë ditëve të shkuara në Parlamentin Evropian, në disa debate është thënë se dialogu është i mirë, por ka munguar ndonjë sqarim konkret se çfarë përfiton Kosova nga ky dialog.

Miroslav Lajçak që është drejtues menaxhues për Ballkanin në Këshillin e BE-së, i pyetur lidhur me këtë, vetëm ka thënë se dialogu hap një kanal të komunikimit të drejtpërdrejtë ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës dhe kjo, sipas tij, është një fitore për të dyja palët, mirëpo nuk ka qenë në gjendje të thotë diçka më tepër.

Ndërkohë shumë zyrtarë të Bashkimit Evropian, përfshirë edhe kryeministrin e Hungarisë, Viktor Orban, i cili është kryesues i radhës i BE-së, por edhe zyrtarë të tjerë, kanë bërë të qartë se cilat janë vështirësitë kryesore dhe pengesat për lidhje kontraktuale mes Bashkimit Evropian dhe Kosovës.

Ata kanë thënë qartë se pa njohje nga pesë vendet anëtare të BE-së, Kosova nuk mund të ketë lidhje kontraktuale dhe marrëveshje institucionale me Bashkimin Evropian.

Diplomatët kanë pohuar se nëse do të ketë ndonjë avancim në këtë dialog atëherë në të ardhmen kjo do të mund të ndihmonte afrimin e të dyja palëve drejt integrimeve në BE, por tash për tash as nuk japin ndonjë datë apo ndonjë vlerësim të saktë lidhur me këtë perspektivë.
XS
SM
MD
LG