Ndërlidhjet

Investimet në veri të Kosovës janë të nevojshme dhe ato po bëhen në vazhdimësi, thonë përfaqësuesit e institucioneve komunale të Mitrovicës, por edhe përfaqësuesit e serbëve lokalë në veri të vendit. Ahmet Jashari, zëdhënës i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, thotë se investimet janë duke u bërë nga institucionet e Kosovës. Ndërkaq, Radenko Nedeljkoviq, përfaqësues i serbëve që jetojnë në rajonin e Mitrovicës, thotë se qeveria serbe në vazhdimësi investon në hapësirat ku jetojnë serbët.


Veriu i Kosovës ka pasur dhe ende ka nevojë për investime, edhe pse ato nuk kanë munguar deri më tash, thonë zyrtarët komunalë në Mitrovicë, por edhe përfaqësues të serbëve lokalë në veri të vendit.

Ahmet Jashari, zëdhënës i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, thotë se në dhjetë vitet e fundit pamja e veriut të Mitrovicës ka ndryshuar falë investimeve nga institucionet e Kosovës.

Jashari thekson se vendbanimeve, si Kroi i Vitakut dhe Lagjja e Doktorëve, të cilat para dhjetë vjetësh kanë qenë gërmadha, tashmë u është kthyer jeta.

“Investime konkrete, është fjala për tre vjetët e fundit, në veri janë rindërtuar rreth 100 shtëpi të reja, të cilat kapin një vlerë prej 2 milionë euro. Atje është investuar shumë edhe në infrastrukturën rrugore, në kanalizime, ujësjellës, në ndriçim. Kur përmendet Kroi i Vitakut, aty përveç ndërtimit të shtëpive, kemi edhe asfaltimin e rrugëve, kanalizimit, meqë banorët që kthehen, kanë nevojë për infrastrukturë të përgjithshme. Kjo është bërë me ndihmën e Qeverisë, por edhe me investimet që i ka bërë komuna atje”, thotë Jashari.

Sipas Jasharit, përveç në zonat urbane të veriut, institucionet e Kosovës kanë investuar edhe në ato rurale, kryesisht në asfaltimin e rrugëve që lidhin disa fshatra të Zveçanit dhe të Leposaviqit, të banuara kryesisht me shqiptarë, por edhe me boshnjakë.

Jashari shton se Ministria e Bujqësisë ka mbështetur fermerët e kësaj ane me një varg projektesh, ndërkaq që investimet në përgjithësi, kanë qenë të dedikuara për gjithë popullatën në veri të Kosovës, pavarësisht përkatësive etnike.

“Në përgjithësi investimet janë rreth 15 milionë ose më tepër, do të thotë, që janë investuar në këto tre vjet në veri dhe që janë në proces të realizimit të disa projekteve. Të gjitha projektet që janë realizuar prej institucioneve të Republikës së Kosovës, kanë qenë të hapura. Meqë kanë qenë në formë konkursi, kanë mundur të konkurrojnë të gjithë banorët, pa marrë parasysh përkatësinë e tyre etnike”.

“Megjithatë, në veri, gjendja është më ndryshe, meqë strukturat janë shumë të fuqishme dhe ato tentojnë që me çdo kusht të bëjnë presion te banorët e komunitetit serb që të mos bëhen pjesë e këtyre investimeve”, shton Jashari.

Në anën tjetër, Radenko Nedeljkoviq, përfaqësues i serbëve që jetojnë në rajonin e Mitrovicës, thotë se Beogradi zyrtar në vazhdimësi i ka ndihmuar banorët serbë në veri të Kosovës dhe ka investuar në hapësirat ku jetojnë ata.

“Është investuar mjaft, para së gjithash, në përkujdesjen e personave të zhvendosur. Pastaj, është investuar për adaptimin e rrjetit rrugor në qytetin e Mitrovicës, për shkollat, universitetin dhe objektet përcjellëse, për repartet mjekësore, rininë, bujqësinë etj.”, thotë Nedeljkoviq.

Sipas tij, në realizim e sipër është projekti për ujësjellësin regjional, i cili përfshin komunat: Mitrovicë, Zveçan dhe Zubin Potok.

Vetëm për këtë projekt, shpjegon Nedeljkoviq, qeveria e Serbisë i ka ndarë 9 milionë euro.

Ndryshe, Nedeljkoviq pohon faktin se institucionet e Kosovës janë të interesuara për të investuar në veri të vendit, por, sipas tij, këto investime deri më tash kanë qenë, siç i quan ai, të padukshme.

“Ka mjaft komente se Prishtina, përmes disa organizatave joqeveritare, ka investuar në veri të Kosovës. Por, unë nuk e di saktësisht se cilat janë ato investime. Më duket se po flitet për disa gjëra, por ato nuk janë të dukshme në terren”, shprehet Nedeljkoviq.

Sidoqoftë, zëdhënësi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës, Jashari, thotë se me gjithë angazhimin dhe insistimin e institucioneve komunale të Mitrovicës, por edhe përgjithësisht institucioneve të Kosovës, që serbëve t’u ofrohen projekte në dobi të tyre, ata ende hezitojnë t’i pranojnë ato.

Kjo, sipas Jasharit, ndodh për shkak se strukturat paralele në veri vazhdojnë të ushtrojnë presion mbi serbët lokalë, që të mos i pranojnë investimet eventuale nga institucionet kosovare, me pretekstin se kjo do të nënkuptonte pranimin e pavarësisë së Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

XS
SM
MD
LG