Ndërlidhjet

Kosovë - Serbi, s'ka rezultate konkrete


Bruksel
Bruksel

Të premten në Bruksel ka përfunduar edhe takimi i tretë i radhës në kuadër të dialogut ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Ndonëse ishte parashikuar para nisjes së takimit se do të mund të arrihej ndonjë marrëveshje konkrete, sidomos lidhur me regjistrin civil, në fund të takimit BE-ja nuk ka dalë me ndonjë rezultat konkret, pos që ka konstatuar se është arritur një përparim duke u bazuar në diskutimet që kishin ndodhur në takimet e mëparshme.

Sipas komunikatës së Bashkimit Evropian, tema kryesore që janë diskutuar në takimin e mbrëmshëm, kanë qenë ato të lidhura me lirinë e lëvizjes, energjetikën dhe telekomunikacionin.

Po ashtu, thuhet se është hapur për diskutim edhe çështja e njohjes së diplomave universitare, sikurse edhe çështja e auto-targave dhe patentë-shoferëve.

Bashkimi Evropian ka paralajmëruar se takimi i radhës do të zhvillohet kah mesi i muajit maj.

Burime të BE-së thanë se takimi edhe kësaj radhe është zhvilluar në një atmosferë pozitive dhe konstruktive, por disa diplomatë të BE-së shtuan se palët duhet të bëjnë më shumë për të arritur marrëveshje konkrete për disa pika.

Tashmë janë hapur disa tema për diskutime, mirëpo marrëveshje konkrete nuk ka për asnjërën prej tyre ende, ndonëse theksohet se është arritur përparim shumë i madh në disa pika dhe marrëveshja do të mund të pritet së shpejti.

Diplomatët e Bashkimit Evropian, të afërt me procesin e dialogut, pohuan se palët vazhdojnë të mbajnë qëndrimet e tyre të kundërta lidhur me statusin e Kosovës, edhe me vetë mënyrën se si e shohin karakterin e këtij dialogu.

Pala kosovare vazhdon të thotë se është një dialog ndërmjet dy shteteve të pavarura dhe sovrane, ndërkohë që Beogradi insiston që nuk do të heqë dorë nga qëndrimi që Kosova të trajtohet si pjesë përbërëse e Serbisë.

Shefi i delegacionit të Serbisë disa herë në deklarime kishte thënë se qëllimi është që të arrihen marrëveshje që do të ndihmojnë jetën e qytetarëve tanë, siç është shprehur ai, në Kosovë e Metohi.

Po ashtu, nga ana e BE-së thanë se dialogu ka për qëllim që të përmirësojë jetën e qytetarëve duke zgjidhur disa çështje praktike, mirëpo theksuan se nuk do të presin nga palët që t’i ndryshojnë qëndrimet e tyre rreth statusit të Kosovës.
XS
SM
MD
LG