Ndërlidhjet

logo-print

Qeveria e biznesi kundër rritjes


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Sindikatat e punëtorëve në Kosovë po kërkojnë nga autoritetet kompetente që paga minimale të arrijë në 250 euro, si për punonjësit e sektorit publik, po ashtu edhe për ata të sektorit privat. Me një kërkesë të tillë nuk pajtohen përfaqësues të komunitetit të biznesit. Aktualisht, paga minimale në Kosovë sillet deri në 130 euro në muaj.


Paga minimale në Kosovë duhet të arrijë në 250 euro, si në sektorin publik ashtu edhe në atë privat, kërkojnë dy sindikatat e punëtorëve.

Aktualisht, në Kosovë paga minimale është 130 euro, shumë kjo, që sipas përfaqësuesve të sindikatave, nuk e mbulon koston e shpenzimeve jetësore.

Haxhi Arifaj, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Kosovës, thotë se për shkak të ngritjes së çmimeve të artikujve ushqimorë, edhe punëtorët në sektorin privat duhet të gëzojnë rritje të pagave.

Në mënyrë të argumentuar do të prezantojmë arsyen pse kërkojmë dhe cilat janë specifikat. Njëkohësisht, edhe në bazë të statistikave që ne do t’i nxjerrim, sepse kemi të bëjmë me shportën ditore, mujore, kemi të bëjmë me ngritjen e çmimeve, kemi të bëjmë me inflacionin”.

"Por, njëkohësisht kemi konsultuar edhe pagat minimale në rajon. Përveç Maqedonisë dhe Kosovës, të gjitha shtetet tjera përreth i kanë pagat minimale më të larta, sesa që kemi kërkuar ne”
, thotë Arifaj.

Edhe Ali Dragusha, nga Konfederata e Sindikatave të Lira të Kosovës, vlerëson se duhet të gjenden mënyra për rritjen e pagës minimale të punëtorëve kosovare, por me theks të veçantë të atyre që punojnë në sektorin privat.

“Ne këtu jemi bazuar në koston e jetës, por kryesisht jemi bazuar edhe në dispozitat e Ligjit të punës, përkatësisht të nenit 56, që obligon përcaktimin e pagës minimale edhe për kushtet apo elementet, të cilat duhet të merren për caktimin e pagës minimale
”, shpjegon Dragusha.

Por, me një kërkesë të tillë nuk pajtohen përfaqësues të komunitetit të biznesit. Agim Shahini, kryetar i Aleancës Kosovare të Biznesit, thotë se kërkesa e sindikatave është e arsyeshme, por jo mundësi që mund të realizohet, qoftë në sektorin publik, po ashtu edhe në atë privat.

Shahini kundërshton një gjë të tillë, pasi, sipas tij, paga minimale prej 250 eurosh, është shumë e lartë për kushtet ekonomike në vend.

“Ne, si Aleancë Kosovare e Biznesit, nuk jemi pajtuar për këtë dhe nuk do të pajtohemi, sepse ne e shohim rritjen e zhvillimit ekonomik, jo përmes rritjes së pagave, por përmes rritjes së ekonomisë dhe rritjes së punësimit”.

“Është e pakuptimtë të mendohet, ashtu siç po paragjykohet nga dikush, se rritja ekonomike vjen nga rritja e pagave. Ne, në këtë formë do të shkojmë në deficit, në kolaps financiar. Ne në letër do të kemi paga, por nuk do të kemi para për t’i marrë ato paga”
, shprehet Shahini.

Sipas Shahinit, problem për rritje të pagës minimale paraqet pikërisht sektori privat, pasi, siç thotë ai, ndërmarrjet e vogla dhe ato të mesme përballen me probleme të shumta.

“Ne kemi kompani shumë të vogla, të cilat kanë një numër të vogël të punëtorëve, dhe marrin paga 100 - 150 euro në muaj. Dhe, ne, nëse i detyrojmë ata që paga minimale të jetë mbi 250 euro, atëherë ata e humbin interesin që ai punëtor të marrë atë pagë, sepse nuk mbështetet në zhvillimin dhe aktivitetin e kompanisë së vogël”, thekson Shahini.

Edhe zyrtarë të Qeverisë dhe përfaqësues të Odës Ekonomike në Kosovë, vlerësojnë se shuma prej 250 eurosh është e lartë dhe e pazbatueshme për kushtet tona.

Ndryshe, në bazë të Ligjit të punës, i cili ka filluar të zbatohet nga 1 janari i këtij viti, Qeveria e Kosovës në fund të çdo viti kalendarik duhet të përcaktojë pagën minimale. Por, një gjë të tillë ende nuk ka mundur ta realizojë.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG