Ndërlidhjet

Kërkohet kthimi i funksionalitetit


Këshilli Konsultativ për Komunitete vepron nën autoritetin e presidentit të Republikës së Kosovës.

Këshilli Konsultativ për Komunitete vepron nën autoritetin e presidentit të Republikës së Kosovës.

Krizat politike që në qendër kishin presidencën, që nga viti i kaluar, kanë bërë që Këshilli Konsultativ për Komunitete të mos mblidhet asnjëherë. Anëtarët e këtij Këshilli, i cili ka për qëllim integrimin e komuniteteve pakicë, kërkojnë nga presidenca kthimin e funksionalitetit të këtij organi.


Anëtarët e Këshillit Konsultativ për Komunitete thonë se ky Këshill nuk është duke ushtruar veprimtarinë e tij plotësisht, për shkak të zhvillimeve politike.

Këshilli, që vepron nën autoritetin e presidentit të Republikës së Kosovës dhe në të cilin përfaqësohen të gjitha komunitetet, muajt e fundit, nuk është mbledhur asnjëherë.

Anëtarët e Këshillit deklarojnë se mungesa e përbërjes së plotë ka bërë që shumë plane të mos realizohen.

Kujtim Paçaku, nënkryetar i Këshillit nga radhët e komunitetit rom, thotë se as pas zgjedhjes së presidentes së re, Atifete Jahjagës, ky Këshill nuk është mbledhur.

Zhvillimet e fundit politike gjithsesi kanë ndikuar edhe në Këshill, sepse shumë pak jemi takuar. Kanë ndikuar negativisht, sepse në takime nuk kemi pasur asnjëherë këshilltarin e presidentit apo tash të presidentes. Këshilli nuk ka fuqi ekzekutive, por ka vetëm fuqi lobuese, andaj shumë probleme kanë ngelur pa u zgjidhur”, thotë Paçaku.

Edhe drejtori i Qendrës Evropiane për Çështje Minoritare në Kosovë, Ardian Zeqiri, thotë se ndryshimet e shpeshta në presidencë kanë ndikuar në punën e Këshillit Konsultativ për Komunitete.
Ndërrimet në presidencë e kanë penguar realisht funksionimin e Këshillit.

Padyshim se situata politike në 6-7 muajt e fundit në Kosovë e ka penguar edhe funksionimin e plotë të Këshillit Konsultativ - do të thotë, mungesa e institucioneve dhe mungesa e partnerëve qeveritarë, me të cilët Këshilli ka punë më së shumti. Pastaj, ndërrimet në presidencë e kanë penguar realisht funksionimin e Këshillit”, thekson Zeqiri.

Këshilli në fjalë ka për qëllim informimin dhe mobilizimin e komuniteteve pakicë si dhe dhënien e këshillave edhe për institucionet në përmirësimin e kushteve për komunitete.

Aktualisht, Këshilli ka rreth 20 anëtarë, ndërsa përbërja e plotë duhet të jetë rreth 30. Përbërjen e këtij Këshilli e bëjnë njerëz të komuniteteve nga partitë politike dhe shoqëria civile.

Paçaku thotë se gjatë kohës sa ka vepruar Këshilli janë hartuar disa plane, që pritet të realizohen në bashkëpunim me ministritë e Qeverisë së Kosovës.

Këshilli urgjentisht duhet të takohet me ministritë gjegjëse, të cilat janë të involvuara në strategjinë e komunitetit rom 2008/2016, strategji e cila kë të bëjë me problemet e romëve”, thotë Paçaku.

Këshilli Konsultativ për Komunitete, pos tjerash, ka për qëllim që komunitetet të sugjerojnë nisma legjislative dhe politike, ndërsa pikëpamjet e tyre të përfshihen në projektet dhe programet përkatëse.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG