Ndërlidhjet

logo-print

FH: Liria e internetit në rrezik

  • RFE /RL

Foto ilustruese

Foto ilustruese

Sulmet në internet, censura e motivuar politikisht dhe rritja e kontrollit qeveritar në infrastrukturën e internetit, janë disa nga kërcënimet në rritje të lirisë së internetit, thuhet në studimin e fundit të Freedom House “Liria e Internetit 2011: Vlerësim global mbi internetin dhe median digjitale”.

Këto barriera në lirinë e internetit vijnë në një kohë të rritjes shpërthyese të numrit të përdoruesve të internetit në mbarë botën, numër ky i cili është dyfishuar në pesë vjetët e fundit.

Qeveritë janë duke reaguar ndaj ndikimit në rritje të këtij mediumi të ri, duke mëtuar kontrollin e aktiviteteve në internet, duke kufizuar qarkullimin e lirë të informacionit dhe duke shkelur të drejtën e shfrytëzuesve.

“Këto gjetje të detajizuara tregojnë qartazi se liria e internetit nuk mund të zhvlerësohet”, citohet të ketë thënë Dejvid Kramer, drejtor ekzekutiv në Freedom House.

“Regjimet jodemokratike janë duke i kushtuar gjithnjë e më shumë vëmendje dhe resurse censurës dhe formave të tjera të ndërhyrjes me të shprehurit ‘online’”.

Raporti, i cili identifikon trendet kyçe në 37 vende, pason një pilot-edicion të publikuar mbi të njëjtën temë në vitin 2009. Freedom House vlerëson çdo vend bazuar në barrierat e qasjes, kufizimet në përmbajtje dhe shkeljen e të drejtave të shfrytëzuesve.

Studimi ka zbuluar se Estonia ka shkallën më të lartë të lirisë në internet në mesin e vendeve të ekzaminuara, ndërkaq Shtetet e Bashkuara kanë zënë vendin e dytë.

Irani është radhitur i fundit në këtë studim, derisa 11 vende të tjera kanë hyrë në kategorinë “jo të lirë”, përfshirë këtu Bjellorusinë, Birmaninë, Kinën, Kubën, Arabinë Saudite dhe Tajlandën.

Shtypja e autorëve të blogut, censura në rritje dhe sulmet e ndryshme në internet kanë rastisur shpesh të jenë të ndërlidhura me trazira më të gjera politike, përfshirë këtu edhe zgjedhjet kontroverse.

Freedom House në fund ka identifikuar edhe një numër vendesh të rëndësishme që gjenden në rrezik nga kufizimi i lirisë në internet, përfshirë këtu Jordaninë, Rusinë, Tajlandën, Venezuelën dhe Zimbabvenë. (a.v.)
XS
SM
MD
LG