Ndërlidhjet

Pajtohen t’i nisin reformat


Kuvendi i Kosovës - foto arkiv
Kuvendi i Kosovës - foto arkiv
Grupet parlamentare i kanë proceduar Kryesisë së Kuvendit të Kosovës kërkesën për formimin e dy komisioneve të përkohshme, të cilat do të merren me zbatimin e marrëveshjes Thaçi, Mustafa, Pacolli, për ndryshimet kushtetuese dhe reformat zgjedhore. Pritet që Kryesia ta shqyrtojë të martën këtë kërkesë dhe ta procedojë atë për miratim në seancën e radhës së Kuvendit.


Partitë politike që përfaqësohen në Kuvendin e Kosovës janë pajtuar që t’i formojnë dy komisionet, të cilat do të merren me propozimet për ndryshime kushtetuese dhe reformat zgjedhore.

Këto komisione formohen në bazë të marrëveshjes ndërmjet kryeministrit Hashim Thaçi, liderit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, dhe Behxhet Pacollit, e cila u aprovua edhe nga Kuvendi në formë të rezolutës.

Nismën për formimin e komisioneve e ka marrë shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Ismet Beqiri.

Ai tha se të gjitha partitë i kanë dërguar emrat e deputetëve që do të jenë pjesë e komisioneve dhe pret që Kryesia e Kuvendit ta marrë për bazë këtë kërkesë dhe ta procedojë tutje për miratim në seancën e parë që do të mbajë Kuvendi.
Komisionin për amendamentim të Kushtetutës e kryeson pozita, ndërkaq atë për reformën zgjedhore - opozita.

“Ne jemi pajtuar që të jenë dy komisione me nga nëntë anëtarë, ku në secilin prej tyre LDK-ja dhe PDK-ja i kanë nga dy përfaqësues, kurse partitë tjera parlamentare nga një anëtar. Komisionin për amendamentim të Kushtetutës e kryeson pozita, ndërkaq atë për reformën zgjedhore e kryeson opozita, që më siguri se do të jetë njëri nga përfaqësuesit e LDK-së”, tha Beqiri.

Duke folur për procedurat e formimit të komisioneve të reja të përkohshme, eksperti i çështjeve kushtetuese dhe deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, Arsim Bajrami, tha se me vetë faktin që memorandumi i tre liderëve kosovarë është miratuar përmes rezolutës, tani obligohet që ta respektojë atë dhe t’i formojë me kohë komisionet adekuate.
Ato do të funksionojnë sipas rregullave të komisioneve ‘ad-hok’ apo komisioneve të përkohshme.

Në bazë të rezolutës së Kuvendit të Kosovës, duhet të formohen dy komisione të përkohshme, me mandat të caktuar. I pari do të ketë mandat deri në nëntë muaj, kurse i dyti me mandat më të gjatë - ato do të funksionojnë sipas rregullave të komisioneve ‘ad-hok’ apo komisioneve të përkohshme”.

“Është me rëndësi që të formohen me kohë, në mënyrë që të fillojnë reformat kushtetuese dhe zgjedhore, për t’i hapur rrugën zbatimit të zgjidhjeve të reja që kanë të bëjnë me zgjedhjen e drejtpërdrejtë të presidentit dhe zgjedhjet e reja parlamentare, sipas sistemit të ri elektoral”,
tha Bajrami.

Ndryshimet kushtetuese dhe reformat në sistemin zgjedhor shihen si të domosdoshme edhe nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës.

Sekretari i saj i përgjithshëm, Burim Ramadani, tha se AAK-ja madje inkurajon që puna e komisioneve të përshpejtohet, ngase, sipas tij, zgjedhjet janë të nevojshme për një afat edhe më të shpejtë sesa që i parasheh rezoluta dhe marrëveshja e tre përfaqësuesve politikë.
Duke e ditur faktin se këto institucione kanë dalë nga zgjedhjet e kontestuara dhe të lënduara, duhet të përgatitemi sa më shpejt për zgjedhjet e reja.

“Duke e ditur faktin se këto institucione kanë dalë nga zgjedhjet e kontestuara dhe të lënduara, duhet të përgatitemi sa më shpejt për zgjedhjet e reja”.

“Nuk jam shumë optimist për angazhimin e partive politike në qeveri, sepse ato e dinë se sa më shpejt që të ketë ndryshim, aq më shpejt do të ketë zgjedhje. Por, presioni politik – legjitim - do të jetë i madh për t’i bërë këto ndryshime”,
theksoi Ramadani.

Pas formimit të komisioneve pritet që në punën e tyre të përfshihen edhe shoqëria civile dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare, të pranishme në Kosovë.

Në bazë të rezolutës dhe marrëveshjes politike, nga dita e formimit të komisioneve, në Parlament fillon edhe rrjedhja e afatit për propozimin dhe miratimin e reformave dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.

Marrëveshja parasheh zgjedhje të drejtpërdrejta për presidentin edhe atë jo më larg sesa gjatë verës apo vjeshtës së vitit vijues. Po ashtu, parashihen zgjedhjet e reja edhe për Kuvendin e Kosovës diku në vjeshtën e vitit 2013.

Lexoni edhe këtë:
PDK-AKR rindajnë ministritë
XS
SM
MD
LG