Ndërlidhjet

logo-print

Raporti: SHBA-të financojnë opozitën në Siri

  • RFE /RL

Pamje nga protestat antiqeveritare në Siri.

Pamje nga protestat antiqeveritare në Siri.

Departamenti i Shtetit në mënyrë sekrete i kishte financuar kundërshtarët e presidentit të Sirisë, Bashar Asad, thuhet në mesazhet diplomatike të dërguara nga WikiLeaks-i në të përditshmen “Washington Post”.

Gazeta shkruan se mesazhet tregojnë se Departamenti amerikan i Shtetit ka dërguar më se 6 milionë dollarë amerikanë prej vitit 2006 te një grup sirian në ekzil, për ta udhëhequr kanalin satelitor Barada TV, me seli në Londër, dhe për grupet e tjera opozitare brenda Sirisë.

”Washington Post” shkruan se është e paqartë nëse Shtetet e Bashkuara ende po i financonin kundërshtarët e Asadit, por dokumentet e WikiLeaks-it tregojnë se financimi ishte lënë mënjanë, së paku gjatë shtatorit të vitit 2010.

Gazeta thotë se Departamenti i Shtetit ka refuzuar ta komentojë autenticitetin e mesazheve ose të përgjigjet lidhur me financimin e Televizionit Barada.

Për më tepër se një muaj, Siria është përfshirë nga protestat kundër regjimit autoritar të Bashar Asadit.

Sipas gazetës, për shumë vëzhgues të situatës në Siri, pretendimet e bëra publike në gazetë nuk janë befasuese.

Por, Halil Habash, bloger i opozitës siriane që jeton në Zvicër, insiston se paratë amerikane nuk kanë lidhje me revoltat aktuale në Siri.

“Nuk është befasi ajo që Shtetet e Bashkuara kanë ndihmuar një grup të veçantë, si për shembull kanalin televiziv Barada, i cili është i afërt me Vëllazërinë Myslimane. Janë në pyetje 6 milionë dollarë që janë dhënë prej vitit 2006 dhe shumica janë dhënë në vitet e para”.

“Gjashtë milionë dollarë nuk mjaftojnë për të përmbysur një regjim si ai në Siri, ndaj ata po ndihmojnë një grup të veçantë. Ajo që po shohim në Siri është kryengritje popullore, larg nga Vëllazëria Myslimane”,
thotë Habash.

Aktivistët antiqeveritarë në Siri me siguri do të distancohen nga pretendimet se po financohen nga Shtetet e Bashkuara.

Por, Hamash thotë se raporti në “Washington Post” po e dëmton opozitën.

“Tash është lajm i keq për opozitën në Siri dhe për kryengritjen popullore. Regjimi sirian vazhdimisht është përpjekur ta portretizojë këtë kryengritje si ndërhyrje të huaj, si komplot të jashtëm. Prandaj, kjo mund të jetë një mënyrë për të diskredituar lëvizjen në Siri”, thotë Hamash.

Raporti vjen në kohën kur Siria u përfshi nga dhuna e re. Zotimi i presidentit Asad që të heqë gjendjen e jashtëzakonshme, pothuaj 50 vjeçare, ka dështuar t’i qetësojë protestuesit.

Aktivistët për të drejtat e njeriut thonë se forcat qeveritare kanë vrarë gjatë natës të paktën tetë protestues në qytetin qendror Homs gjatë përleshjeve lidhur me vdekjen e një udhëheqësi fisnor.

Të dielën, dëshmitarët thanë se forcat e sigurisë hapën zjarr në një funeral, duke vrarë të paktën tre vetë dhe duke plagosur dhjetëra të tjerë.

Grupet për të drejtat e njeriut thonë se bilanci i të vdekurve që nga fillimi i protestave është më shumë se 200. (v.p.)
XS
SM
MD
LG