Ndërlidhjet

Zotimet për mbështetje


Nga takimi i sotëm në Prishtinë...

Nga takimi i sotëm në Prishtinë...

Ministri i Jashtëm i Norvegjisë, Jonas Gahr Store, po qëndron në Kosovë, ku është pritur nga përfaqësuesit e institucioneve vendase dhe atyre ndërkombëtare. Ai u ka premtuar autoriteteve vendase mbështetjen norvegjeze për aspiratat e Kosovës në proceset integruese dhe liberalizimin e vizave.


Kosova kërkon mbështetje më të fuqishme evropiane për procesin e integrimeve dhe liberalizimin e vizave.

Gjatë takimeve të shumta të zhvilluara sot ndërmjet udhëheqësve të institucioneve të Kosovës dhe përfaqësuesve evropianë, janë potencuar si domosdoshmëri njohjet e reja, investimet e jashtme në Kosovë si dhe përgatitja e shtetit më të ri për proceset integruese dhe liberalizimin e vizave.

Ministri i Punëve të Jashtme të Norvegjisë, Jonas Gahr Store, i cili po qëndron në Kosovë, shprehu mbështetjen që Qeveria e vendit të tij i jep pavarësisë dhe integritetit të Kosovës.

Norvegjia do të angazhohet për ta bërë të qartë se njohja e pavarësisë së Kosovës është vendim i qëlluar nga të gjitha shtetet, tha ai.

“Kosova është një shtet i ri dhe i vogël. Edhe Norvegjia është një shtet i vogël. Ne kemi respekt për të gjitha shtetet e vogla”, tha ministri norvegjez, duke shprehur përkrahje për pavarësinë dhe integritetin e Kosovës.

Ai inkurajoi kosovarët që të punojnë më shumë në fushën e sundimit të ligjit, transparencës dhe luftimit të korrupsionit, në mënyrë që t’i sigurojnë investimet nga jashtë.

Ministri i Jashtëm norvegjez është pritur nga udhëheqësit më të lartë vendas dhe ata ndërkombëtarë, ndërkaq komentet i bëri gjatë një konference të përbashkët me homologun e tij kosovar, ministrin Enver Hoxhaj.

Ky i fundit tha se Norvegjia, edhe pse nuk është anëtare e Bashkimit Evropian, si një vend që e ka njohur ndër të parët Kosovën, ka premtuar mbështetje si për integrimet, ashtu edhe për liberalizimin e vizave.

“Ne biseduam me ministrin e Punëve të Jashtme të Norvegjisë për një mbështetje të tij edhe sa i përket përmirësimit të relacionit të Republikës së Kosovës me Brukselin, por edhe për vendosjen e marrëdhënieve kontraktuese dhe çështjen e liberalizmit të vizave”, tha Hoxhaj.

Gjatë ditës, përfaqësues të tjerë ndërkombëtarë biseduan edhe me krerët e institucioneve.

Në një njoftim për media nga Presidenca e Kosovës, thuhet se presidentja Atifete Jahjaga ka marrë mbështetjen e ambasadorit suedez në Kosovë, Lars Vahlund, për procesin e përafrimit të Kosovës me Bashkimin Evropian.

Ambasadori suedez tha se Kosova kërkon marrëdhënie kontraktuale me BE-në, për ta ndihmuar vendin në adresimin e sfidave dhe vazhdimin e procesit të reformave.

Presidentja Jahjaga rikujtoi se Kosova do ta vazhdojë dialogun teknik me Serbinë, por potencoi se çdo opsion për ndarje apo riorganizim të brendshëm të Kosovës, jo vetëm që do të ishte i papranueshëm, por do ta destabilizonte gjithë rajonin.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

XS
SM
MD
LG