Ndërlidhjet

Konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme


Foto ilustruese

Foto ilustruese

Agjencia Kosovare Kundër Korrupsionit ka ngritur dyshime për pasurinë e disa zyrtarëve kosovarë, për të cilët ka vlerësuar se janë pasuruar “brenda nate”.

Por, ndryshe nga vendet evropiane, edhe nëse konstatohet se pasuria është e paligjshme, ajo në shumë raste nuk konfiskohet nga shteti. Kosova ende nuk e ka Ligjin për konfiskimin e pasurisë.

Jetullah Aliu, nga Agjencia Kundër Korrupsionit, thotë se për të pasur sukses në luftën kundër kësaj dukurie, Kosova duhet të plotësojë kornizën ligjore që ndihmon betejën kundër korrupsionit.

“Do të ndihmonte shumë, jo vetëm Ligji për konfiskimin e pasurisë, por edhe Ligji anti-mafi. Do të na ndihmonte shumë dhe do të kishte një efekt shumë të madh në parandalimin e korrupsionit”, thotë Aliu.

Sipas Kodit Penal të Kosovës, konfiskimi i pasurisë së kundërligjshme bëhet vetëm te personat që kanë kryer ndonjë vepër të rëndë penale, ndërkaq nuk ka mekanizëm ligjor, me anë të të cilit do t’i nënshtroheshin verifikimit të pasurisë të gjithë ata që nuk e justifikojnë atë pasuri me të ardhurat e tyre.

Miratimin e një ligji të tillë e konsiderojnë si shumë të rëndësishëm dhe përfaqësuesit e organizatave joqeveritare që merren me luftën anti-korrupsion.

Sipas Avni Zogianit, nga Organizata për Demokraci, Anti-Korrupsion dhe Dinjitet “Çohu”, ngecjet në miratimin e një ligji të tillë nuk kanë asnjë justifikim.

“Ky ligj është një prej mungesave serioze kritike të luftës kundër korrupsionit në Kosovë. Praktikisht, njeriu mund të thotë se pa këtë dhe disa ligje të tjera është e pamundur të luftohet korrupsioni”, deklaron Zogiani.

Kosova ka raste të shumta të personave që pasurinë e tyre nuk mund ta arsyetojnë me të ardhurat mujore, thotë Merita Musatafa, menaxhere në programin “Transparenca dhe anti-korrupsioni”, në Institutin Demokratik të Kosovës.

“Zyrtarët publikë kanë pasur gjithë luksin që të deklarohen edhe rrejshëm dhe të mos iu konfiskohet pasuria. Në miratimin e ligjeve anti-korrupsion ka munguar vullneti politik. Pra, arsyeja kryesore është mungesa e vullnetit politik”, thekson Mustafa.

Autoritetet e vendit kanë deklaruar se në mungesë të Ligjit për sekuestrimin dhe konfiskimin e pasurisë, një veprim i tillë mund të zbatohet me Kodin Penal të Kosovës. Por, sipas ekspertëve të drejtësisë, kjo mund të ndodhë vetëm nëse personi i caktuar shpallet fajtor për vepër penale, përmes së cilës vërtetohet se ka pasur përfitime materiale.

Përfaqësuesit e shoqërisë civile shprehen optimistë se ky ligj do të miratohet, pasi që, siç thonë ata, kjo çështje është ngritur edhe nga Komisioni Evropian në Raportin e Progresit dhe nga vetë shoqëria civile.
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

XS
SM
MD
LG