Ndërlidhjet

Në disa shkolla në Prishtinë, klasat janë të mbipopulluara. Numri i madh i nxënësve, që jo rrallë kap shifrën 50, thuhet se pengon në masë të madhe zhvillimin normal të procesit mësimor.

Azem Jaha, drejtor në Gjimnazin “Xhevdet Doda”, thotë se kjo shkollë ka 1503 nxënës të shpërndarë në 34 paralele, çfarë do të thotë që mbi 40 nxënës ndjekin mësimin në një klasë.

“...ky është problemi më i madh, me të cilin ballafaqohemi. Sipas standardeve, me konkursin që shpallet në afatin e qershorit, kërkohen 22 nxënës në paralele. Kur vjen muaji shtator, në mungesë të hapësirave shkollore, ne jemi të detyruar të rrisim numrin e nxënësve”, thotë Jaha.

Sara Lupçi është nxënëse në klasën e 11-të në Gjimnazin “Sami Frashëri”. Ajo tregon vështirësitë, me të cilat përballen moshatarët e saj:

“Jemi 47 nxënës në një klasë. Mendoj se është një numër shumë i madh, që ndikon shumë në cilësinë e arsimit. Ata nxënës, që janë më të mirë, mund të arrijnë diçka... por, për ata që janë më të dobët, 40 minuta nuk mjaftojnë. Do të thotë, asnjë minutë nuk i takon një nxënësi”.

Ministria e Arsimit
Sipas kritereve të Ministrisë së Arsimit, numri i nxënësve në një klasë duhet të jetë rreth 25. Ragip Gjoshi, këshilltar politik në këtë ministri, pranon se shifrat tejkalojnë standardet e lejuara, përkundër, siç thotë ai, hapësirave të mjaftueshme shkollore.

“Hapësira për një nxënës sillet prej 1.8 metrash katrorë, ndërsa me korridore prej 2.2 metrash katrorë. Kjo është një mesatare e kënaqshme, as vendet e rajonit nuk janë në pozitë më të mirë. Ne synojmë që me strategjinë zhvillimore, deri në vitin 2017, ta zgjidhim këtë problem tërësisht”, thotë Gjoshi.

Sipas tij, mbingarkesa e klasave me nxënës mund ta vështirësojë procesin mësimor, por jo të ndikojë në cilësinë e arsimit.

“Nuk është çelës për suksesin numri i nxënësve në një paralele. Në sukses reflektojnë edhe parametra të tjerë, indikacione të tjera”, thekson ai.

Një situatë më e mirë qëndron në Shkollën Fillore “Faik Konica”, edhe pse jo brenda limiteve të lejuara. Drejtoresha e kësaj shkolle, Kumrije Kallaba Sahiti, thotë se nuk ka lejuar që numri i nxënësve të kalojë mbi 30, për të mos rrezikuar cilësinë e arsimit dhe disiplinën.

“Në shumë shkolla, sidomos në shkollat e mesme, numri i nxënësve tejkalon 50-shin. Kjo është një gjendje tmerruese edhe për mësimdhënësin, edhe për nxënësin. Është jashtë normales që asnjë gjysmë minute të mos i takojë nxënësit”, thotë Kallaba Sahiti.

Sido që të jetë, zyrtarë të Ministrisë së Arsimit pohojnë se ky institucion, vetëm në dy vjetët e fundit, ka ndërtuar 65 objekte të reja shkollore në gjithë Kosovën, me qëllim përmirësimin e cilësisë së arsimit.

Lexoni edhe këtë:
Arsimi kosovar: 500 raste dhune
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG